Për dialogun Prishtinë- Beograd është diskutuar në takimin ndërmjet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe këshilltarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet.

 

Takimi është zhvilluar në Nju Jork, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.

 

Në njoftimin e 21 shtatorit të lëshuar nga Presidenca e Kosovës, thuhet se Osmani theksoi nevojën për të ecur përpara me procesin e dialogut me Serbinë, “të përqendruar në njohjen reciproke”.

 

“Presidentja Osmani, potencoi nevojën që Serbia t’i zbatojë obligimet e saj nga marrëveshja për udhërrëfyesin e energjisë dhe nevojën urgjente që të arrihet sukses sa i përket marrëveshjes për të zhdukurit me dhunë”, thuhet në njoftim.

 

Një ditë më herët, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell, u takua në Nju Jork me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.

 

Ai tha se ka biseduar me ta për ndikimin që po ka në rajon dhe botë pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës, si dhe u ka premtuar atyre se blloku evropian do t’u ndihmojë për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar “kërcënimet hibride, përfshirë ato kibernetike”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re