Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, u bëri thirrje partive politike që sa më shpejt të miratojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht për integrim në Bashkimin Evropian.

 

Maqedonia e Veriut, më 19 korrik, formalisht ka nisur bisedimet me Bashkimin Evropian, por bisedimet thelbësore për kapitujt nuk do të fillojnë pa ndryshimin e Kushtetutës maqedonase për përfshirjen e pakicës bullgare në të.

 

Kjo parashihet me marrëveshjen me Bullgarinë, bazuar në propozimin francez për zgjidhjen e kontesteve mes dy vendeve lidhur me çështjet historike, gjuhën dhe identitetin maqedonas.

 

“Tema e ndryshimeve kushtetuese duhet të hapet sa më shpejt në Kuvend. Partitë politike duhet që të arrijnë një konsensus për çështjet evropiane dhe të arrijnë një marrëveshje që kushdo qoftë në pushtet, të mos ketë dallime për këtë çështje”, deklaroi kryediplomati Osmani më 4 dhjetor.

 

“Është gabim të mendosh se po negociojmë me Bashkimin Evropian. Rregulloret dhe direktivat janë të fiksuara. Ju duhet t’i pranoni ato ashtu siç janë për t’u bërë anëtare e BE-së. Pavarësisht nëse është LSDM [Lidhja Socialdemokrate në pushtet], BDI [Bashkimi Demokratik për Integrim në pushtet] apo VMRO DPMNE [partia më e madhe opozitare maqedonase], askush nuk ka mundësi të ndryshojë diçka në negociatat me Bashkimin Evropian. E vetmja gjë që mund të ndryshojë është dinamika e dorëzimit dhe pranimit”, shtoi Osmani duke bërë të ditur se pa ndryshimet kushtetuese nuk mund të flitet për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Ai tha se kjo temë përfundimisht duhet të mbyllet sepse sipas tij, qytetarët pavarësisht se cilës prejardhje politike i përkasin, duan anëtarësimin në BE.

 

“Nëse nuk ka dallime, atëherë pse të mos e lëmë anash këtë temë, në interes të qytetarëve që duan BE në të dyja anët e skenës politike. Kemi mjaft tema për të diskutuar”, tha Osmani.

 

Pavarësisht thirrjes të shefit të diplomacisë, Bujar Osmani, VMRO-ja opozitare ka thënë se nuk do të mbështesë ndryshimet kushtetuese pasi pretendon se marrëveshja me Bullgarinë është e dëmshme për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase.

VMRO-ja kërkon garanci nga BE-ja se Sofja nuk do të kërkojë lëshime tjera gjatë procesit të negociatave.

 

Ndryshimet kushtetuese nuk mund të miratohen pa votat e VMRO DPMNE-së, pasi shumica parlamentare nuk ka 80 vota, apo dy të tretat në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, që numëron 120 ulëse të deputetëve./rel