Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se “ideja hegjemoniste” e Serbisë për vendosjen e trupave në Kosovë, ka marrë fund më 12 qershor 1999, ditën kur kanë hyrë në Kosovë trupat paqeruajtëse të NATO-s.

 

 

Gjatë fjalimit vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Osmani tha se veriu i Kosovës, i banuar me shumicë serbe, “vazhdon të jetë sfidë, për shkak të pretendimeve territoriale të Serbisë”.

 

 

Ajo u zotua se institucionet e Kosovës janë të vendosura për të ofruar siguri për qytetarët e Kosovës që jetojnë në këtë pjesë, teksa tha se “bandave kriminale” nuk po u pëlqen vendosmëria e institucione për sundim të ligjit.

 

 

“Ata do të përballen me drejtësinë për veprat penale kundër rendit kushtetues dhe kërcënimit dhe frikësimit të qytetarët”, tha Osmani.

 

 

Presidentja e Kosovës porositi se procesi i dialogut me Serbinë duhet të përqendrohet në njohje të ndërsjellë, që sipas saj do të ishte garanci për paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë.

 

 

Fjalimi vjetor i Osmanit vjen në të njëjtën ditë kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet KFOR-it me kërkesë për dërgimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore në Kosovë.

 

 

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se kundërshtojnë në mënyrë kategorike dislokimin e trupave serbe në Kosovë.

 

 

Tensionet midis Kosovës dhe Serbisë janë rritur që nga 6 dhjetori, pasi në veri të Kosovës janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.

 

 

Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë ngritën barrikada në veri, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb, që Kosova thotë se dyshohet për organizimin e “sulmit terrorist” ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri më 6 dhjetor.

 

 

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar largimin e menjëhershëm të barrikadave, teksa Qeveria e Kosovës ka thënë se po pret që misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, t’i largojë barrikadat.

 

 

Ndryshe, subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, bojkotoi fjalimin e Osmanit, të cilën e akuzoi për përdorim “të gjuhës jounifikuese, tejet polarizuese dhe përçarëse”.