Ju mund të ndihmoni në parandalimin e osteoporozës dhe të mbështesni trajtimin, duke ndjekur një dietë dhe stil jetese të shëndetshme për kockat, që përfshin ushtrime të rregullta të mbajtjes së peshës dhe rezistencës.

Trajtimet farmakologjike kanë treguar se zvogëlojnë rrezikun e frakturave të ijeve deri në 40%, frakturat vertebrale me 30-70%; dhe disa trajtime reduktojnë rrezikun për fraktura jovertebrale deri në 30-40%.

Osteoporoza ose kocka poroze, është një sëmundje gjatë së cilës densiteti i kockës dhe kualiteti i saj reduktohet gradualisht. Gjatë osteoporozës kocka bëhet më poroze dhe më e thyeshme. Humbja e masës kockore ndodh në mënyrë të heshtur dhe progresivisht, shpesh pa simptoma deri sa ndodh fraktura e parë dhe në shumë raste është ajo e cila evidenton osteoporozën. Prandaj osteoporoza është quajtur si “epidemi e heshtur”. Sa më shumë rritet poroziteti i kockës aq më shumë rritet rrisku për fraktura. Frakturat mund të ndodhin pas një rënie fare të vogël apo dhe si rezultat i një aktiviteti/veprimi të zakonshëm të përditshëm. Frakturat zakonisht ndodhin në krah, dorë, shpinë, këllk dhe legen. Frakturat më të shpeshta dhe më serioze janë ato të legenit dhe të shpinës. Kockat e thyera shkaktojnë dhimbje të forta, palëvizshmëri dhe paaftësi afatgjatë: rezultati është cilësia e dobët e jetës dhe humbja e pavarësisë për të kryer aktivitetet e përditshme në mënyrë të pavarur.

Cilat janë shenjat e Osteoporozës?
Duke qënë se humbja e masës kockore gjatë osteoporozës ndodh gradualisht dhe është e padhimbshme, nuk ka simptoma të dukshme që të tregojnë që një person është duke zhvilluar osteoporozën. Për këtë arsye osteoporoza quhet “epidemi apo sëmundje e heshtur”. Megjithatë disa shenja si dhimbja e lehtë, reduktim të gjatësisë trupore me disa cm apo fraktura mund të jenë të lidhura me osteoporozën. Shpesh shenja e parë e osteoporozës është fraktura/thyerja e kockës.

Disa faktorë duket se shtojnë rriskun për osteoporozë, si psh gjinia apo mosha dhe nuk mund të ndryshohen, ndërsa faktorë të tjerë (pirja e duhanit, alkolit, dieta e mangët me kalcium dhe vitamin D, mungesa e aktivitetit fizik, etj) janë të lidhur me stilin e jetesës dhe mund të modifikohen. Mosha- humbja e indit kockor në përgjithësi fillon pas moshës 40-50 vjeç atëhere kur organizmi ynë nuk është në gjendje të zëvendësojë indin kockor me të njëjtin ritëm me të cilin e humbet atë. / Shkolla e Shëndetit

/shkollaeshendetit.com

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re