Skip to content

“Pa Shqipërinë, Kosova është e humbur”, Koçi: Kurti nuk e shpëton dot Berishën, vënia në shërbim të tij tani që është ‘non grata’ në SHBA bie erë të keqe

Deputeti Petro Koçi, ka reaguar lidhur me debatin e krijuar në Shqipëri dhe Kosovë për mbi të gjithë për atë që ai e quan aleancë e Albin Kurtit me Sali Berishën.

Koçi shkruan se Vetëvendosja është duke u vënë në shërbim të Berishës, ndaj duhet “t’i kthehet të ardhmes së interesit tonë kombëtar dhe jo të shkuarës ‘non grata’”.

“Vetëzhvendosja është e lirë të përzgjedhë alëatët e saj. Por vënia në shërbim të Sali Berishës, kur ky sapo është shpallur ‘non grata’ nga SHBA bie erë të keqe. Patriotizmi i stërmundimshëm për t’u marrë me një Bregoviç nuk e shpëton Saliun.

Nuk e fshin faktin që ndërmarrja Shqiponja e PD kreu trafik karburanti me ish-Jugosllavinë e Millosheviçit sipas marrëveshjes Berisha-Bullatoviç. Nuk e fshin dot faktin që Berisha e quajti tradhti kombëtare firmosjen në Rambuje. Kosova dhe Shqipëria janë krahët e të njëjtës shqiponjë. Të asaj brenda Flamurit kuqezi.

Pa Shqipërinë, Kosova është e humbur. Për Shqipërinë, Kosova është garancia me rëndësishme strategjike. Shqipëria dhe Kosova pa SHBA dhe BE nuk i realizojnë dot aspiratat dhe interesat kombëtare.

Prandaj është mirë që Vetëzhvendosja t’i kthehet të ardhmes së interesit tonë kombëtar. Dhe jo të shkuarës ‘non grata’. Aleanca me Berishën është kompromentuese. Të bëhet Vetëvendosje”, shkruan ai.