Erl Murati, i ftuar në ‘Panorama TV’ është shprehur se kërkesa e SPAK për Kuvendin që t’i hapë rrugë arrestimit të Sali Berishën ka ardhur si pasojë e vendimit të ish-kryeministrit për t’u mos u paraqitur para Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Analisti shtoi se ndryshimi i qëndrimit të Berishës për të pranuar masën e “arrestit në shtëpi” është për të mos rrezikuar burgun.

“Kjo kërkesë vjen pas vendosmërisë së Berishës për të mos respektuar vendimin e gjykatës për t’u paraqitur para BKH.  Berisha thotë nuk e njoh dhe prandaj prokuroria po kërkon masën e arrestit të shtëpisë. Ka dërguar në Kuvend këtë kërkesë dhe është pasojë e vendimit të Berishës për të mos njohur SPAK-un. Nëse Berisha do ta kishte pranuar, kjo nuk do të kishte ndodhur.

Është për të ardhur keq që një individ që ka qenë kryeministër, president, është vendim i pritshëm. Besoj se për shkak të staturës dhe moshës është vendosur në arrest shtëpie, por në rast tjetër do të ishte ‘arrest me burg’ sepse vepra penale është korrupsion.

Problemi janë dy, dimensioni juridik dhe e dyta raporti me opozitën, sepse nuk ka luksin të ketë në krye një person të akuzuar për korrupsion. Kjo është një pengmarrje e opozitës nga Berisha.

Është qaje ndryshe sepse Berisha nuk po zbaton masën e sigurisë detyrim paraqitje por do të respektojë tjetrën sepse ndjen se rrezikon më shumë. Për të shmangur burgun është i bindur të respektojë masën e sigurisë”, tha Murati.

Kryeredaktori i Gazetës Shqiptare komentoi dhe situatën në të cilën ndodhet opozita, duke thënë se është tërësisht e rrënuar.

Sipas Muratit zgjidhja është reformimi dhe tërheqja e Lulzim Bashës dhe Sali Berishës.

“Opozita në tërësi është e rrënuar, inekzistente. Jetojmë në një vend që mazhoranca i kontrollon të gjitha pushtetet. Opozita duhet të kishte logjikën për t’u reformuar. Ka mbetur peng e dy vullneteve, Basha dhe Berisha, të cilët nuk janë e ardhmja, por e kaluara. Nuk mund ta sjellin në pushtet, sepse ky është qëllimi i një partie.

Dilema është a mund të vijë në pushtet dhe përgjigja ime është jo. Berisha është akuzuar për korrupsion, është i deligjitimuar moralisht dhe politikish. Nga ana tjetër Basha, ka humbur shumë beteja dhe partia e tij është tkurrur. Në Tiranë Arlind Qorri mori më shumë vota se Lulzim Basha.

Opozita është e rrënuar. Në kampin e opozitës ka shumë të verbër që nuk pranojnë të shohin realitetin”, tha Murati.

Në lidhje me paralajmërimin e kryeministri Rama për zgjedhje të parakohshme, analisti tha se thjesht po luan blofin.

“Teorikisht vendi është gati për zgjedhje të parakohshme. Por Rama luan blofin. Në këtë vend zgjedhje të parakoheshme janë bërë në 1997.

Kur shkon në zgjedhje të parakohshme tregon se je gati ta lësh pushtetin, por Rama luan blofin për t’u thënë atyre që ka poshtë se nuk e keni të sigurt karrigen. Është mjet presioni”, tha ai.

Sa i takon Reformën në Drejtësi, Murati tha se bie dakord me deklaratat e të dërguarit me punë të SHBA, Davis Wisner, ndërsa shtoi se pa vullnetin e faktorit ndërkombëtar nuk do të ishte bërë.

“Ishte një përgjigje më shumë se e tërthortë e Wisner-it. Pavarësisht se PS e ka meritën e miratimit të Reformës në Drejtësi, do të thosha se pa vullnetin dhe monitorimin e SHBA nuk do të ishte bërë. Reforma është bërë me paratë e taksapaguesve amerikanë, Ambasada Amerikane e ka financuar. Reforma në Drejtësi është investim i faktorit ndërkombëtar”, tha ai.

 

 

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re