Kryetarja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma thotë për Report Tv se në treg aktualisht mungojnë barna citostatikë, të cilët përdoren nga pacientët e Onkologjikut për trajtimin e kancerit.

Në periudha të ndryshme kohor e mungojnë, aktualisht mungojnë barna citostatikë, për pacientë të onkologjikut. Nga informacionet që unë kam ka mangësi”, tha Toma në Report Tv.

E ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu, Toma diskutoi mbi mungesën e barnave në treg, ku Report Tv pas një vëzhgimi konstatoi se ka mungesë të Ventolës, (salbutamol), ilaçi në formë pompe që përdoret nga astmatikët për lirimin e rrugëve të frymëmarrjes. Ajo thotë se farmacisti mbetet me duar të lidhura për shkak të këtyre problemeve.

“Farmacisti reagon se është profesionist që duhet të ndihmoj në trajtimin e një diagnoze dhe mbetet me duar të lidhura pikërisht se mungon ky bar, ose një alternativë e këtij bari.

Është një vështirësi që nuk e mundëson. Cila është? Këtu ngremë supet, kur kontaktojmë informacionin e marrim që jemi në mungesë, kur pyesim përse na japin aq variabla sa një gjë është kryesore që bari vazhdon të mungojë. Kompanitë nuk bien dakord, kjo mund të jetë një alternativë. Përse kemi arritur këtu, një treg që dikur ka qenë i dëshiruar sot është i padëshiruar. Kjo është një anomali tjetër, farmaci pa kriter”, tha Toma.

Toma thotë se për t’i dhënë fund këtyre situatave duhet ngritur një mekanizëm për monitorimin e tregut farmaceutik.

“Nuk kemi një kriter të monitorimit të furnizimit të tregut me barna. Monitorimi duhet të shërbejë si garanci që tregu të mos mbetet bosh, ky është një ngërç në sistemin e funksionimit të sistemit farmaceutik në Shqipëri. Tregu është privat, ky është një ngërç që duhet zhbërë. Duhet gjetur një mekanizëm për të bërë të mundur furnizimin me barna”, tha ajo.

Citostatikët janë barna që përdoren për trajtimin e sëmundjeve kanceroze dhe që kryesisht janë barna të shtrenjta që në shumicën e rasteve kanë vlera shumë të larta.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re