Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar një skandal të rëndë në Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, lidhur me furnizimin e barnave antitumorale. Sipas raportit përfundimtar të auditimit, institucioni përgjegjës për financimin dhe kontrollin e barnave nuk ka zbatuar penalitetet e parashikuara në kontratat me importuesit farmaceutikë, duke toleruar shkelje të përsëritura situatë që ka lënë pacientët onkologjikë pa trajtim.
Sipas kontratave trepalëshe midis Fondit të sigurimeve, QSUT dhe importuesve, çdo vonesë në furnizim duhej të shoqërohej me penalitete financiare. KLSH llogarit se vlera totale e gjobave që nuk u aplikuan arrin në 49 milionë lekë.
Për më tepër, kontratat parashikonin që në rast përsëritjeje të shkeljes, importuesit që nuk plotësonin furnizimin në kohë të përjashtoheshin nga lista e rimbursimit, masë që nuk është zbatuar asnjëherë. Në raport përmenden disa kompani farmaceutike si përgjegjëse për vonesat e përsëritura. Sipas KLSH, pavarësisht shkeljeve të qarta, këto kompani janë trajtuar si “operatorë pa probleme”, duke vijuar të furnizojnë tregun pa asnjë pasojë kontraktuale.
Për këtë sjellje, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vendosur një masë administrative ndaj Fondit te sigurimit të detyrueshëm shëndetësor, duke e konsideruar mosveprimin një dështim serioz të mekanizmave të kontrollit. Në raport theksohet se kjo situatë jo vetëm që ka dëmtuar financat publike, por mbi të gjitha ka kontribuar në mungesën e barnave jetike për pacientët me kancer.
Raporti i KLSH nxjerr në pah një zinxhir dështimesh ku kompanitë vonojnë, pacientët mbeten pa ilaçe, ndërsa institucioni që duhet të mbrojë interesin publik nuk vendos as gjobat e parashikuara me ligj.
