Një tjetër rast suksesi trajtuar nga ekipi i mjekëve kardiologë nën drejtimin e dr.Maksim Llambro.

Urimi, 36 vjeç nga Kukësi, u paraqit në orët e vona të mbrëmjes në Urgjencën e Spitalit Hygeia në gjendje shumë të rënduar shëndetësore dhe insufiçencë multiorganore, veçanërisht me insufiçencë hepatike të rëndë dhe Anuri (mungesë urine), të cilat vinin si rezultat i mosfurnizimit të heparit dhe veshkës me gjak.

Pacienti ishte diagnostikuar me me Diseksion (shkolitje) e mureve të Aortës. Aorta është arteria kryesore dhe më e rëndësishme në trupin e njeriut dhe është përgjegjëse për transporitmin e gjakut nga zemra në të gjitha organet dhe sistemet e organizmit. Ndër sëmundjet më të rrezikshme që prekin aortën është edhe Diseksikoni i Aortës që konsiderohet edhe një nga gjendjet mjekësore më urgjente.

Nisur nga gjendja shumë e rënduar e pacientit, ku provat e heparit rezultuan të ishin mbi 1000- fish të larta, ekipi i mjekëve kardiologë nën drejtimin e dr.Maksim Llambros në bashkëpunim me mjekët anestezistë nën drejtmin e dr.Blerim Arapit, vendosën që të ndërhyjnë menjëherë në kushte urgjence duke qenë se pacienti ishte në rrezik për jetën.

Pacienti ju nënshtrua ndërhyrjes për riparimin e diseksionit me vendosje të një Endoproteze në segmentin proksimal të zonës së disekuar (të çarë) të aortës, ndërhyrje kjo që u realizua totalisht në rrugë perkutane (pa inçizion).

Ndërhyrja rezultoi e suksesshme, pa komplikacione mjekësore dhe pa kompromentim të fluksit të vazave të medha me origjinë në zonën e implantimit të endoprotezës. Pas disa ditë qëndrimi në Reanimacion pacienti u përmirësua dukshëm si nga pikëmpamja klinike ashtu edhe biokimike, pra kishte përmirësim të dukshëm të parametrave te heparit dhe veshkave duke rifituar funksionet e plota.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re