Shefi i Kirurgjisë Torakale te “Shefqet Ndroqi”, Fatmir Caushi, ka rrëfyer në emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews operacionin e parë të trakesë të kryer në Shqipëri.

Caushi tha se pacienti që iu nënshtrua operacionit të rrallë kishte kaluar një kohë të gjatë i intubuar, pasi ishte në gjendje kome, gjë që i kishte sjellë edhe problemin në rrugët e frymëmarrjes.

Ai tha gjithashtu se pacienti në fjalë mezi merrte frymë kur shkoi të kryente operacionin, i cili sipas tij, ishte një ndërhyrje tejet e vështirë dhe e parealizuar më herët në vendin tonë.

“Ky kishte një ngushtim të trakesë, si pasojë e një intubimi të zgjatur. Një pacient që kishte kaluar në gjendje komatoze, kishte qëndruar për një kohë të gjatë i intubuar dhe nga mosfurnizimi me gjak normalisht i këtyre kërceve, këto fillojë dhe tjetërsohen e shtrembërohen. Trakeja ka një lumer me një diametër te 2.5 mm dhe te ky pacient kishte kaluar te 2 mm. Intubimet e zgjatura quhen ato që janë mbi 10 ditë. Pacienti u paraqit në një situatë që e kishte të pamundur të merrte frymë. Ky ishte rasti i parë i kësaj lloj ndërhyrjeje në Shqipëri. Rasti ishte i komplikuar dhe operacioni zgjati rreth 2 orë ose 2 orë e gjysmë”, tha Caushi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re