Kryeministri Edi Rama ka depozituar një akt-padi në Gjykatën e Lartë ndaj ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Padia është për deklaratat që Haradinaj ka bërë ndaj Ramës, kur tha se ai bashkë me Thaçin dhe Vuçiç, kanë rënë dakord për shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë. Deklarata të cilat Rama i quan të pavërteta.

Në një intervistë për Ora News, Haradinaj thotë se nuk ka frikë nga paditë, pasi siç thotë ai nuk e ka nënshtruar as Millosheviçi.

Ramush Haradinaj: Rama ka menduar që me këto paditë i frikëson njerëzit, i ndalon. Ka menduar se të gjithë jemi në një mënyrë të nënshtruar nga ai.

Ndoshta në Shqipëri e praktikon këtë me oponentët  dhe të tjerët. Rama e di që Millosheviçi nuk më ka nënshtruar mua dhe familjen time.

Askush kurrë nuk mund të më nënshtrojë të drejtën e shqiptarëve dhe të Kosovës. Unë jam shqiptar, unë nuk e mbroj Kosovën vetëm për shqiptarët e Kosovës, e mbroj Kosovën se është e drejtë historike e shqiptarëve në Ballkan.

Shqiptarët janë popull që asnjëherë nuk kanë marrë nga të tjerët. Të tjerët kanë marrë nga shqiptarët.

Është histori e ditur dhe e dhimbshëm  sa jemi copëtuar dhe zvogëluar në vazhdimësi. Jam i atij brezi që dua ta ndryshoj këtë logjikë.

Ka hyrë mijëvjeçaru i tretë, UCK e ka ndryshuar këtë logjikë. Fqinjët tanë që nuk i respektojnë për vlerat e tyre me të cilët dëshirojnë të bashkëjetojnë nuk mund të marrin prej të drejtës tonë.

Sipas tij, Rama, Vuçiç dhe Thaçi kanë punuar për ndarjen e Kosovës.

Ramush Haradinaj: Kam një padi aq sa di unë sepse nuk më ka ftuar gjykata, por jo ajo padi, po çka do qoftë tjetër nuk ka për të heshtur të drejtën e shqiptarëve. Ai ka qenë pjesë direkte, ai dhe lobi i tij  dhe sejmenët e tij kanë punuar intensivisht për ndarjen e Kosovës, sikurse ishte edhe zoti Thaci edhe zoti Vucic.

Po për fat, qendrat vendimmarrëse, Uashingtoni zyrtar, mekanizmat e sigurisë, ata që e zbatojnë gjeostrategjikë për stabilitet në botë e kanë kuptuar lojën e tyre.

I kam thënë edhe zotit Rama edhe të tjerëve, se kufijtë i kanë vendosur çizmet. Nuk i kanë ndarë ende çizmet. Pra nuk mundet kravatat të ndërrojnë kufijtë sa herë duan pa u marrë vesh me çizmet. Çizmet i kanë vendosur kufijtë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko