Vangjush Dako, ish-kryebashkiaku i Durrësit është arrestuar pasditen e djeshme me urdhër të SPAK së bashku me disa ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit dhe me një ndërtues.

vangjush-dako-1

Mësohet se SPAK ka firmosur 10 urdhër-arreste në lidhje me një dosje që ka të bëjë me një leje ndërtimi për një pallat pa leje dhënë gati rreth 12 vjet më parë dhe që është dëmtuar nga tërmeti i vitit 2019.

Po ashtu sipas të dhënave zyrtare bëhet me dije se Dako akuzohet edhe për një tender konsulence të vitit 2014-2015 që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh. Vangjush Dako, në fakt, ka qenë në dijeni të urdhër-ndalimit të tij pasi ai ka mbërritur vetë në drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku ditën e sotme do të merret edhe në pyetje nga ana e prokurorit të çështjes. Sipas të dhënave Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar 10 urdhër arreste të cilat janë firmosur nga gjyqtari i GJKKO-së, Erjon Bani, ku saktësohet se për 7 prej tyre është firmosur masa e sigurisë “Arrest me burg”, ndërsa për 3 prej tyre, që janë gra, është dhënë masa e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Hetimi bëhet me dije se hetimi për shkeljet ka nisur rreth 1 vit më parë dhe Vangjush Dako është thirrur në SPAK edhe në muajin mars të këtij viti lidhur me këtë dosje. Ndërsa ditët e fundit janë marrë në pyetje edhe zyrtarë dhe ish-zyrtarë të bashkisë së Durrësit. Ndaj tyre rëndojnë akuzat për shpërdorim detyre, falsifikim dokumentesh dhe korrupsion. Gjatë ditës së djeshme, SPAK ka ekzekutuar urdhër arrestin për Vangjush Dakon dhe një ish-zyrtar tjetër. Në korrik të 2019, Departamenti Amerikan i Shtetit shpalli “non grata” Vangjush Dakon. Gjithashtu DASH i ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara të ish-kryetarit të Bashkisë së Durrësit dhe anëtarëve të familjes së tij. Dako ka drejtuar bashkinë e Durrësit në vitet 2007-2019.

ZËRI I AMERIKËS

Në lidhje me arrestimin e Vangjush Dakos ka një shkrim të gjatë të Zërit të Amerikës, në të cilin rikthehet edhe njëherë betimi i miqësisë së përjetshme të Edi Ramës, Kryeministrit të vendit me ish-kryebashkiakun e akuzuar prej më shumë se një dekade, jo vetëm për korrupsion.

“Nga Prokuroria e Posaçme ende nuk ka të dhëna për hetimin që ajo ka zhvilluar dhe përgjegjësitë konkrete të personave për të cilët janë lëshuar urdhrat e arrestit. Zoti Dako është një emër i njohur dhe një nga figurat që ka shërbyer në nivelet e larta të Partisë Socialiste, duke qenë dhe anëtar i kryesisë së saj. Në vitin 2019 ai u bë personi i tretë nga Shqipëria ndaj të cilit Departamenti amerikan i Shtetit vendosi ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara, për të dhe familjen e tij pasi u konsiderua se ishte i përfshirë në korrupsion madhor. Pavarësisht kësaj, kryeministri Edi Rama nuk ndërmori asnjë hap publik për t’u distancuar prej tij. Pak muaj pas vendimit të Departamentit të Shtetit, në emisionin Opinion në “TV Klan” ai deklaroi se Dako do të mbetej përherë miku i tij. “Vangjush Dako ka qenë, është dhe do të jetë miku im. Nuk e përcakton Departamenti i Shtetit kë kam mik. E përcakton morali dhe bindja ime. Edhe në burg të shkojë nesër do jetë miku im. Por me Vangjush Dakon nuk kam bërë kurrë, as më ka kërkuar as nuk i kam kërkuar, as nuk kemi bashkëpunuar as kemi kërkuar bashkëpunim të të tjerëve, asnjë shkelje të ligjeve të Republikës së Shqipërisë, deklaroi në atë kohë Kryeministri Rama”, thuhet më tej në materialin e “Zërit të Amerikës”.

Si nisi hetimi pas kallëzimit të banorëve se pallati ishte dëmtuar

Kërkesa e depozituar në gjykatë për caktimin e masës së sigurisë ndaj 10 zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të bashkisë Durrës, është bërë nga prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, i cili pas disa muaj hetime në një çështje penale, ka konstatuar parregullsi në procedurat e ndjekura gjatë ndërtimit të një pallati në qytetin e Durrës.

Për këto parregullsi sipas SPAK, përgjegjës është ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Drejtoresha Juridike në bashkinë Durrës, Lira Kërtusha dhe 8 persona të tjerë të Urbanistikës, INUV, ALUIZNI, përfshirë këtu dhe një administrator kompanie private, që ka ndërtuar objektin pa lejë në qytetin e Durrësit. Për këtë çështje dy muaj më parë Vangjush Dako u paraqit në SPAK, duke dhënë pretendimet e tij. Përmes burimeve në SPAK, është mësuar se një gjyqtar ka vendosur mospranimin e kërkesës së prokurorisë, për arrestimin e Vangjush Dakos dhe caktimin e masës së sigurisë personale për personat e tjerë.

Pas këtij vendimi, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, këtë javë e ka apeluar Vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Vangjush Dakon dhe disa persona të tjerë. Ndërsa masa më të buta si “arrest në shtëpi” janë kërkuar për disa nga femrat e proceduara në këtë procedim penal që po hetohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit pa leje” për qëllime përfitimi. Dako rezulton i kallëzuar në SPAK nga disa banorë të një pallati, objekt i cili më pas u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Dako, është figura kryesore e Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit dhe figura më e përfolur lidhur me kontaktet e tij në botën e krimit në këtë zonë. Vangjush Dako, ka qenë pjesë e verifikimeve në një dosje të SPAK që flet për organizim dhe blerje votash për llogari të PS, në qarkun e Durrësit. Dako në këtë dosje me nr.339 del në përgjime teksa flet me anëtarë të grupit Avdyli në Shijak për blerjen e votave.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re