TIRANË- Ka nisur në Gjykatën e Tiranës gjyqi mes kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla dhe kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha. Balla deklaroi në një prononcim pas seancës së parë se do ishkojë deri në fund procesit. Ai u shpreh i bindur se gjykata do i japë të drejtë.

“Ata që na ndjekin thonë që ja këta këtë punë kanë dhe nuk merren me hallet e njerëzve po me njeri-tjetrin. Besoj që sot edhe në procese të ngjashme po i bëjmë një shërbim politikës shqiptare në tërësi për të ndarë përfundimisht shpifësit nga e vërteta dhe në rastin në fjalë unë e dija, ju të gjithë e dini që Lulzim Basha ka fobi nga këto godinat dhe nuk besoj që do paraqitet ndonjë ditë pavarësisht se burrërrisht i takon të vijë e të përballet.
Unë do t’i shkoj deri në fund këtij procesi sikurse dhe një procesi të ngjashëm. Dhe jam i bindur që në fund të këtij procesi do fitoj një vendim gjykate që nuk do më vlejë vetëm mua por edhe PD.
PD sot është shndërruar në një parti që kalon nga një puntatë në puntatën tjetër të Babales”, deklaroi Balla.

Ai ka paditur Bashën për shpifje si dhe nxjerrje të sekretit hetimor për çështjen e 3.4 milionë eurove të gjetura në dy makina “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit.

Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se kryedemokrati përfaqësohet në gjyq nga avokati Gazmend Bardhi dhe Ivi kaso ndërsa socialisti Balla ka zgjedhur të jetë edhe vetë bashkë me avokatin.

Dje Balla i bëri thirrje Bashës të merrte pjesë në seancën e sotme dhe të mos paraqiste raport mjekësor.

Kreu i PD akuzoi Ballën si garanti i  3.4 mln eurove të sekuestruara, para këto sipas liderit të PD-së të destinuara për një nga klanet e drogës në Elbasan.

(m.k/BalkanWeb)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re