Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranës ka rrëzuar padinë e kryeministrit Edi Rama, i cili kishte paditur për shpifje Lulzim Bashën, për deklaratat e bëra nga ky i fundit në vitin 2018.

Basha asokohe drejtonte Partinë Demokratike dhe kishte akuzuar Ramën se fitoi zgjedhjet në Durrës dhe në Dibër duke përdorur bandat dhe krimin e organizuar.

Padia e kryeministrit Rama kërkonte dëmshpërblim pasuror nga ish-kreu i demokratëve, me vlerën e 1 milionë lekëve të reja. Ndërkohë që ky i fundit të përgënjeshtronte deklaratat.

Por një ditë më parë gjykata e Tiranës vendosi të rrëzojë kërkesën e kryeministri, duke e cilësuar atë si të pabazuar në prova dhe në ligj.

Njoftimi i Gjykatës

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, Dhoma Civile,  më datë 11.06.2025, pasi shqyrtoi në seancë gjyqësore, në praninë e përfaqësuesit të palës paditësë, kërkesën me paditës: Edi Rama, të paditur Lulzim Basha, me objekt: “1. Detyrimi i të paditurit të shpërblejë dëmin jo pasuror, shkaktuar paditesit, si rezultat i thënieve të pavërteta të deklaruara prej tij, nga selia e Partisë Demokratike, në prononcim për mediat me datë 22.10.2018, në shumën 1.000.000 (një milion) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore dhe ato avokatore. 2. Detyrimi i të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim në të gjitha mediat që kanë publikuar deklaratën apo lajmin mbi të, sipas listës së përcaktuar në pikën D.2 të kërkesë padisë”.

Gjykata, bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, në dispozitat ligjore përkatëse dhe në arsyetimin e mësipërm, çmon se padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova,

PËR KËTO ARSYE;
Gjykata mbështetur në nenet 126, 306 deri 310 të Kodit të Procedurës Civile

V E N D O S I:

Rrëzimin e padisë pasi është e pabazuar në ligj e në prova.
Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës paditëse.
Kundër vendimit mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit Juridiksioni i Përgjithshëm brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve duke nisur afati nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko