Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka folur për mediat pasi doli nga gjykata për seancën e parë të gjyqit për shpifje kundër Sali Berishës. Kryebashkiaku e cilësoi ish kryeministrin si frikacak pasi nuk u paraqit në gjykatë ndërsa shtoi se ai do të paraqitet me detyrim në seancën e radhës me 19 Maj.

LEXO EDHE: Veliaj padi ndaj Berishës, sot seanca në GJKKO

“Kemi fituar të gjitha gjyqet por sot isha unë nismëtari i një akuze ndaj Berishës, i cili ka mbi 30 vjet që shan dhe mashtron këto por çdo ka një limit. Nuk e besoj shprehjen hapi rrugë budallait. Besoj që në një vend demokratik as budallit nuk i duhet hapur rrugë. Këto historitë me iranian, Berisha duhet t’i provojë në gjykatë.

Ka kaq kohë që më fton në debat dhe sot ishte momenti për të ardhur por nuk është burrë, është frikacaku më i madh i këtij vendi. Berisha është njeri i ligë, ka përcjellë përçarje, urrejtje dhe shpifje. Sot gjykata vendosi që në 19 maj Berisha do të shoqërohet nga policia për paraqitje të detyrueshme në gjykatë.

Policia do të sjellë Sali Berishën si të gjithë qytetarët e tjerë që të shkojë në gjykatë dhe të provojë akuzat. Të akuzosh të gjithë dynjanë dhe të mos paraqitesh në gjykatë, t’u futesh njerëzve tek vrima e çelësit, të merresh me gjithë familjet e dynjasë dhe të mos kesh kurajon të mos vish në gjykatë.

Kështu që policia sipas vendimit të gjyqtarit do të duhet të bëjë detyrën dhe ta sjellë me detyrim qëe të përballet me shpifjet që janë të padenja për këdo që jeton dhe angazhohet publikisht dhe që e ka përdorur prezencën e vet publike për të shkatërruar normat dhe vlerat në shoqëri“, tha Veliaj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re