Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari ka deklaruar se Partia e Lirisë i ka dërguar Bashkisë së Tiranës për të disatën herë shkresë për informacion mbi pagesat për inceneratorin e Tiranës, por janë përballur me mungesë transparence.

Në një deklaratë për mediat u shpreh se kërkesa është dërguar muaj më parë nga deputetja e PL, Monika Kryemadhi, por ende s’kanë marrë një përgjigje, duke e konsideruar një shkelje ligjore.

“Partia e Lirisë i ka kërkuar Erion Velisë informacion të detajuar sesa ton mbetje janë depozituar për çdo vit kalendarik që nga nisja e kësaj kontrate midis Bashkisë së Tiranës dhe inceneratorit. Informacion të detajuar mbi pagesat e kryera çdo muaj, nga pagesa e parë deri në momentin e kthimit të përgjigjes.

Gjithashtu, kemi kërkuar një kopje të marrëveshjes midis Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë të inceneratorit.

Një kopje e vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës për miratimin e kësaj marrëveshjeje financiare mes palëve. Relacionet përkatëse nga komisionet përgjegjëse pranë këshillit bashkiak”, shprehet ai.

Braimllari tha se SPAK duhet të veprojë në Bashkinë e Tiranës, duke shtuar se “është kthyer në një gropë të thellë të korrupsionit, trafikut të influencave dhe shkeljes flagrante të ligjit”.

 

Deklarata e plotë e nënkryetarit të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari

Partia e Lirisë i ka dërguar Bashkisë së Tiranës për të disatën herë shkresë për informacion mbi inceneratorin e Tiranës dhe jemi përballur me një mungesë informacioni dhe transparence nga ana e Erion Veliajt.

Partia e Lirisë i ka kërkuar Erion Velisë informacion të detajuar sesa ton mbetje janë depozituar për çdo vit kalendarik që nga nisja e kësaj kontrate midis Bashkisë së Tiranës dhe inceneratorit.

Informacion të detajuar mbi pagesat e kryera çdo muaj, nga pagesa e parë deri në momentin e kthimit të përgjigjes. Gjithashtu, kemi kërkuar një kopje të marrëveshjes midis Bashkisë së Tiranës dhe kompanisë të inceneratorit.

Një kopje e vendimit të këshillit bashkiak të Tiranës për miratimin e kësaj marrëveshjeje financiare mes palëve. Relacionet përkatëse nga komisionet përgjegjëse pranë këshillit bashkiak.

Kjo kërkesë është dërguar muaj më parë nga deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi dhe ende nuk kemi një përgjigje. I është kërkuar zyrtarisht në mbledhjen e këshillit bashkiak në momentin e kalimit të projekt buxhetit afatmesëm nga ana e këshilltarëve të Partisë së Lirisë.

Është njoftuar zyrtarisht komisioneri për të drejtën e informimit për këtë shkelje ligjore të institucionit të Bashkisë së Tiranë, por në mënyrë të paturp ky institucion bashkëpunon me Bashkinë e Tiranës për të fshehur të vërtetën që të mos ketë llogaridhënie.

Partia e Lirisë ka njoftuar gjithashtu dhe këshillin e ministrave për këtë shkelje të kryetarit të Bashkisë së Tiranës i cili pasi ka kryer veprën penale, nuk ka guximin të kthejë përgjigjë dhe të mbrojë vendimmarrjet e veta.
Të nderuar qytetarë është e qartë që kemi të bëjmë me një kapje të shtetit i cili është totalisht në funksion të fshehjes së krimit të kryer nga Erion Veliaj dhe Edi Rama me inceneratorin e Tiranës.

Mungesa e transparencës dhe llogaridhënies nga ana e Erion Velisë tregon qartë përfshirjen e tij të drejtëpërdrejtë, frikën dhe panikun nga firmat e tij, që janë hedhur në kundërshtim me ligjin.

Në emër të këshilltarëve të Partisë së Lirisë në këshillin bashkiak të Tiranës por ridërgojmë kërkesën për informacion mbi çështjet e mësipërme.

Erion Veliaj duhet të informojë qytetarët pasi në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak hoqi nga fondi i dedikuar për arsimin 4.3 milionë euro dhe ja transferoi inceneratorit të Tiranës që nuk ekzsiton.

Konkretisht kërkojmë informacion se cilët zëra, kategori ekonomike dhe funksione të shpenzimeve buxhetore janë shkurtuar apo transferuar në këto fonde.

Kodi i Heshtjes nuk ka për t’a shpëtuar Erion Veliajn nga përgjegjësia për inceneratorin e Tiranës, ndërkohë që jep miliona euro siç bëri javën që kaloi për një shërbim që nuk kryhet, ne do të vazhdojmë të kërkojmë transparencë dhe llogaridhënie

SPAK duhet të veprojë në Bashkinë e Tiranës e cila është kthyer në një gropë të thellë të korrupsionit, trafikut të influencave dhe shkeljes flagrante të ligjit.

Veprimi sa më i shpejtë i drejtësisë në Bashkinë e Tiranës dhe mbi Erion Veliajn, drejtorët e tij të korruptuar është në interes të qytetarëve të cilët po grabiten çdo ditë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re