Dalin në dritë të tjera detaje nga arrestimi i ish-zv.ministres së Brendshme Rovena Voda. Ajo akuzohet nga SPAK se ka marrë ryshfet për punësimin e dy grave në institucione publike.

Mësohet se hetimi i SPAK po zhvillohej për një çështje tjetër, por rastësisht ka dalë në përgjime Voda që premtonte punësimin në shtet për dy të njohurat e saj, Majlinda Hasani dhe Florinda Beu.

Për të treja gjykata e Posaçme ka vendosur masën e “arrestit shtëpiak” për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Të njëjtat burime thanë se SPAK ka siguruar prova korrekte nga të cilat janë krijuar dyshime se Voda ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe materiale të padrejta nga Hasani dhe Beu.

Voda kishte pranuar që të favorizonte Beun nëpërmjet njohjeve të saj, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse e shërbimit civil në kategorinë ekzekutive.

Dyshohet se nga ky hetim ka edhe të tjerë zyrtarë të lartë të përfshirë në afera korruptive.

Kjo është goditja e dytë që bëhet në pak ditë nga SPAK në ministrinë e brendshme. Pak ditë më parë u arrestuan 9 zyrtarë të saj në lidhje me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re