Nisi në Qendrën Kombëtare e Transfuzionit të Gjakut aplikimi i metodës së re për sigurimin e drejtpërdrejtë të plazmës, me aparaturë bashkëkohore.

 

Ministrja Ogerta Manastirliu e cilësoi një tjetër hap përpara drejt sigurimit të terapive alternative për pacientët me COVID19.

 

“Kemi siguruar pajisjen e posaçme të ndarjes automatike të gjakut, bashkë me setet e dedikuara, në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, ku veç metodës tradicionale, ne tashmë mund të përdorim edhe metodën e avancuar për sigurimin e plazmës, që do të përdoret për trajtimin e atyre pacientëve me COVID19, që përcaktojnë ekipet mjekesore, sipas protokolleve të përcaktuara”, tha Manastirliu.

 

Duke theksuar se janë 54 dhurues që i janë bashkuar thirrjes “Bëhu hero për dikë që ka nevojë”, Ministrja e Shëndetësisë bëri apel për dhurimeve vullnetare.

Aktualisht në dy spitalet COVID janë rreth 20 pacientë që kanë marrë trajtimin me plazmën konvaleshente, sipas protokolleve të përcaktuara nga shërbimet përkatëse.

Afereza Produktive është mbledhja e selektuar e produkteve të gjakut. Kjo realizohet nëpërmjet një pajisje të posaçme që quhet ndarësi qelizor i gjakut, që sot është vënë në funksion në Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, së bashku me setet e dedikuara.

Përdorimi i gjerë i plazmës konvaleshente në shumë vende të BE e SHBA në trajtimin e COVID-19, si edhe avantazhet e dhurimit me aferezë, nxorrën në pah nevojën për të pasur në dispozicion të Qendrës së Gjakut ndarësin qelizor, me qëllim mbledhjen e dedikuar dhe në sasi sa më të mëdha të plazmës konvaleshente nga dhurues (ish pacietë me COVID-19) me një titër të rëndësishëm antitrupash ndaj SARS-CoV2.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re