Falë investimit të ri në shërbimin e Okulistikës, Spitali Rajonal i Elbasanit siguron tashmë ndërhyrjet në sy dhe lentet falas për të moshuarit. Drejtuesi politik i qarkut Elbasan Damian Gjiknuri bashkë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe kryebashkiaku Gledian Llatja u njohën nga afër me transformimin që i është bërë këtij shërbimi.

 

“Si përfaqësues politik i zonës së bashku me njerëzit që përfaqësojnë qytetarët duam t’ju falenderojmë për këtë investim. Unë kam qenë dëshmitar i disa vizitave së bashku me ju këtu. Çdo muaj këtu shihen ndryshime dhe Spitali Rajonal i Elbasanit ka një transformim tërësor. Është një punë që s’ka përfunduar dhe vetë e thatë që ne do të vazhdojmë ta mbështesim dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët”, tha Gjiknuri.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu u shpreh se 3700 të moshuar kanë përfituar nga paketa e kataraktës gjatë 2022 në 8 spitale, pjesë e paketave shëndetësore falas për qytetarët.

 

“Është bërë një investim për pajisjet e reja në shërbimin e okulistikës, për të kryer paketën e kataraktit, që tashmë ofrohet në shtet falas, në Tiranë, por edhe në Spitalet Rajonale, edhe në Elbasan sigurisht. Ne e kemi filluar përpara 3 vitesh përpjekjen për të shtrirë shërbimet, mirëpo nevojiteshin pajisje të reja, pajisje të cilat janë të fjalës së fundit të teknologjisë, për të kryer të gjithë ciklin e ndërhyrjeve operatore. Patjetër që është e rëndësishme sepse kjo patologji prek të moshuarit dhe janë ata që edhe e vuajnë pjesën e pagesave nëse nuk realizohet kjo ndërhyrje në publik dhe falas”, deklaroi Manastirliu.

Mjekët e cilësuan një investim gjigand të kryer në Spitalin Rajonal të Elbasanit që për herë të parë merr pajisje të tilla moderne.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re