Princi i kurorës saudit Mohammed bin Salman ka mbërritur në Doha, ndalesa e tretë në turneun e Gjirit, vizita e tij e parë në Katar që nga heqja e bllokadës së gjatë ndaj këtij vendi arab në janar të këtij viti.

Trashëgimtari i fronit u mirëprit nga Emiri i Katarit Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ku dy liderët zhvilluan një takim të mërkurën mbrëma.

Vizita erdhi pasi Arabia Saudite ndërmori hapa për t’i dhënë fund një krize diplomatike që ndau thellësisht komunitetin ndërkombëtar, dëmtoi lidhjet sociale dhe copëtoi një aleancë të gjatë të shteteve të Gjirit.

Katari është turneu i tretë i bin Salmanit në vendet arabe përpara samitit të Gjirit më vonë këtë muaj.

Ky do të jetë samiti i parë që kur Arabia Saudite, së bashku me Bahreinin, Egjiptin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, ranë dakord për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së politikës së jashtme me Katarin, që çoi në ndërprerjen e marrëdhënieve me Dohën në qershor 2017.

Gjatë mosmarrëveshjes, Katari hodhi poshtë kërkesat e katër vendeve, duke përfshirë shfuqizimin e rrjetit mediatik Al Jazeera dhe dëbimin e një kontigjenti më të vogël të trupave turke nga territori i tij.

Në janar, katër vende vendosën t’i japin fund bllokadës.

Gjithashtu, kjo është vizita e parë zyrtare e princit saudit në Doha që kur ai u emërua trashëgimtar i fronit në vitin 2017.

Që atëherë, Riadi dhe Kajro kanë emëruar ambasadorë të rinj në Doha, por Abu Dhabi dhe Manama ende nuk e kanë bërë këtë. Katari gjithashtu ka rivendosur lidhjet tregtare dhe të udhëtimit me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin, por jo me Bahreinin.

Që nga përfundimi i mosmarrëveshjes, Emiri i Katarit e ka vizituar Bin Salmanin në Arabinë Saudite në disa raste dhe kjo ishte vizita e parë e princit saudit në një vizitë zyrtare në Doha që kur u emërua trashëgimtar i fronit në vitin 2017.

Bin Salman ka qenë më parë në Oman dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe planifikon të vizitojë Bahreinin dhe Kuvajtin këtë javë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re