“Llazi Sërbo, veç miqve, nuk ka asnjë njeri, prandaj, siç dhe i kisha premtuar kur ish gjallë, kam marrë përsipër të përmbush për të gjithshka që bëhet pas vdekjes së njeriut. Shokët e vet në Korçë më shprehën dëshirën që ajo që do bëja për 1 vjetor të ishte diçka që të kish lidhje me krijimtarinë e tij, diçka më publike, ku të merrte pjesë Korça, e cila sipas tyre ish e vetmja familje e Llazi Sërbos.

Ai e deshi me shpirt Korçën. Por deshi të linte gjurmën e tij, t’u jepte nga vetja këtyre njerëzve që i donte dhe e donin, miqve, që prisnin prej tij, e për aq sa mundi ta bënte, e bëri me vështirësi e sakrifica.” Ftesa për të marrë pjesë në programin e ditës së shtunë, 10 shtator 2011, për homazh të Llazi Sërbos, nuk mban emër ftuesi, dhe ai ftues me siguri është Sesilia Plasari.

Sesilia, siç kuptohet nga fjalët hyrëse që i tha mbrëmë për “Shekullin” përmes telefonit nga Korça, është njeriu më i afërt i Llazi Sërbos, dhe ishte, për periudhën disamujore kur aktori ndodhej nën kurë kundër depresionit që i dha fund me vetëvrasje. Cilët familjarë kishte ngushëlluar me telegram Presidenti i Republikës Bamir Topi më 13 shtator 2010?

Aktivitetet përkujtimore ditën e shtunë nisin paradite me homazhe në varrezat e Korçës, ku prehet i ndjeri dhe pasdite, në dy mjedise në qytet. Në sallën e Qarkut Korçë shfaqet një dokumentari, të cilin Sesilia e quan “montazh episodesh” nga krijimtaria dhe jeta private e aktorit të kinemasë Llazi Sërbo, pasi ai u kthye në Korçë për të punuar si regjisor i teatrit.

Nëpërmjet tekstit që shoqëron imazhet fragmentare të atyre pjesëve që Sërbo arriti t’i xhironte, Sesilia prek “spostimin që ju bë sipas të gjitha gjasave padrejtësisht, spostim që e theu dhe e shkatërroi, spostim që ju bë vetëm e vetëm se ishte shumë kërkues dhe i disiplinuar”, ashtu siç e vlerësojnë me superlativa shumë kolegë në intervista pas vdekjes natyrën e tij krijuese.

Është periudha pas vitit 1993, kur, për shkak të mbylljes së Kinostudios ku pati një përvojë disavjeçare si asistent regjisor, u kthye në qytetin e lindjes për të bërë teatër qoftë me “Andon Zako Çajupin” qoftë me projekte të lira. Dokumentari përfshin fragmente nga “Opera për tri grosh” i B. Brehtit, aty Sërbo shfaqet edhe aktor në rolin e Mek Thikës; nga “Pesha e paqes” e Shpëtim Ginës; ka imazhe nga turneu në Rusi, në Festivalin Ballkanik, ku shkoi me shfaqjen “Gosti në kohë Kolere”, triptik nga Pushkini; dhe disa momente pune të tijat me grupin e xhirimit të monodramës së fundit që vuri në skenë, “Sirius” i Dostojevskit.

“Në pjesët që arriti të vinte në skenë ai bënte vetë dramatizimet, regjinë, ndonjëherë edhe skenografinë e kostumet”, thotë Sesilia, “dhe nuk arriti pothuajse kurrë ta paguante sadopak vetveten se fondet ishin qesharake dhe asnjëherë ato që i premtoheshin. Vdiq me projekte interesante, disa të dorëzuara e disa të pambaruara, të cilat unë dhe miq të tjerë të tij i kemi “parë” në një farë mënyre, ngaqë nuk pushonte së foluri për to. Por ato nuk patën e nuk do kishin asnjë shans të realizoheshin. Ai nuk u kuptua, nuk u vlerësua nga ata që e kishin në dorë ti jepnin mundësinë të krijonte.”

Për sa i përket jetës private të Llazi Sërbos, në dokumentar ka imazhe nga gostia e ditëlindjes së tij në vitin 2001 ku kanë qenë të pranishëm njerëz, artistë nga gjithë Shqipëria. Si është prania e tij në atë festë? Me gjithsej, do thoshte Sesilia. “Sapo kishte dalë nga një depresion dhe në portretin e tij shikon pasionin, frikën, dramën e asaj që kish kaluar.”

Sesilia Plasari, një njeri i teatrit, ka lidhje gjaku me Sërbot. Por qëndrimi që ajo thotë se mban në dokumentar, ndoshta mund të tingëllojë pak i ashpër për Korçën dhe korçarët që tek e fundit do duhet të reflektojnë për vlerat e njeriut sa është gjallë dhe jo për lavdet pas vdekjes. Ajo distancohet nga këto lloj lavdesh po edhe nga marrëzitë që mbushën mediat sikur aktori paskësh shkruar në letër se do kishte dashur një vdekje si e Bekim Fehmiut.

Në orën 20.00 të 10 shtatorit, në sallën e Muzeut Mësonjëtorja e Parë, prezantohet ekspozita fotografike me 30 portrete të Sërbos nga rolet në kinema e teatër dhe nga jeta private. Fotografia ka qenë tjetër pasion i tij. Ka marrë pjesë në Konkursin Mbarëkombëtar Fotografik “Marubi 2003”.

Fotot e ekspozitës janë nxjerrë nga sendet personale të aktorit që u gjetën në shtëpinë ku u vetëvra. Sot edhe kjo shtëpi nuk është më e tija. I është kthyer disa të afërmeve të largët që e posedonin si bashkëpronarë. Ka të ngjarë që nga ky transferim të kenë humbur materiale intime të Sërbos.

 

Krijimtaria

Llazi Sërbo u lind në Korçë më 1945. Studioi aktrim në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë. Debuton në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës. Nga rolet e para është në dramën “Njolla të murrme” e Minush Jeros, 1969 dhe me regji të Mihal Luarasit, një vepër që u dënua nga Pleniumi IV i Komitetit Qendror katër vjet me vonë dhe ngjalli frikë e terror në rrethet e artistëve. Sërbo kishte interpretuar në një tjetër dramë në Jeros, “Të pamposhturit” dhe te “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, të dyja këto të kritikuara rëndë e më pas të ndaluara.

Disa vjet pas kësaj vale, Sërbo kthehet në kinema për filmat “Yjet e netëve të gjata” (1972), “Operacioni i zjarrit” (1973), “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Kush vdes në këmbë” (1984), “Tre njerëz me guna” (1985), “Asgjë nuk harrohet”, “Pranverë e hidhur” etj..

 

Kronika: 13 shtator 2010

“Aktori dhe regjisori Llazi Sërbo (1945) i dha fund jetës me një plumb në zemër. Ngjarja ndodhi në shtëpinë e tij në Korçë. Sërbo 65-vjeçar jetonte i vetëm dhe prej disa kohësh i kapur nga një depresion i thellë që duhet të ketë qenë shkaku që e shtyu në vetëvrasje.

Ai ka shtirë mbi veten me çifte, arma me të cilën ndante pasionin për gjahun. Një plumb i vetëm i ka sjellë vdekjen e menjëhershme. Trupi i pajetë u gjet paraditen e djeshme, 13 shtator, nga kolegu tij, i shokuar nga skena e llahtarshme që ka parë. Aktori i Teatrit të Korçës, Andrea Pepi ka rrëfyer se e ka gjetur të përgjakur në një karrige në korridorin e shtëpisë aktorin dhe mikun e vet…

Grupi hetimor ka sekuestruar letrat që kishte lënë pak para vdekjes Sërbo në formën e amaneteve. Burime të Policisë thonë se porositë e fundit Sërbos i drejtohen miqve. Ai i ka kërkuar që pas vdekjes t’i marrin ata sendet e tij më me vlerë. Ai iu dhuronte disa shokëve specialë veshjet e tij të preferuara, ndërsa shtëpinë kishte menduar t’ua linte disa të afërmve.”

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re