VOLTIZA DURO/ Brenda 15 ditësh do të hyjë në fuqi ligji “Për Paketën e maleve”, i cili synon nxitjen e investimeve dhe zhvillimit ekonomik apo turistik në zonat malore nëpërmjet kalimit të pronës shtetërore tek individë ose subjekte jopronare me kushtin e zhvillimit.

Ligji parashikon procedura për shpalljen e zonave prioritare, njohjen e poseduesve jopronarë, kalimin e pronësisë me çmim simbolik dhe marrjen e lejeve për zhvillim në territorin përkatës. Në këto zona, poseduesit jopronarë që kanë zotëruar tokën për më shumë se 10 vjet dhe kanë investuar në të, mund të njihen nga bashkia si posedues të ligjshëm dhe të aplikojnë për ta fituar pronësinë me çmim simbolik. Kjo pronësi transferohet me kontratë shitblerjeje për 1 euro, me kushtin që brenda 3 vitesh nga përfitimi, zhvillimi të realizohet sipas një projekti të miratuar paraprakisht. Ligji përcakton se këta posedues nuk mund ta shesin pronën për të paktën 10 vjet nga përfitimi, përveç rasteve të trashëgimisë ose bashkimit familjar për qëllime zhvillimi të mëtejshëm.

Zonat prioritare përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave bazuar në kriteret e braktisjes, mungesës së zhvillimit dhe potencialit ekonomik, turistik apo kulturor. Bashkitë janë përgjegjëse për administrimin e procesit dhe për verifikimin e kërkesave. Bashkia përkatëse, pas shqyrtimit të dokumentacionit dhe një procesi verifikimi në terren, njeh posedimin dhe përcjell propozimin për kalimin e pronësisë për miratim në Këshillin Bashkiak.

Pronat që përfitohen nuk duhet të jenë objekt i kompensimit apo kthimit për çështje të së kaluarës. Pas përfitimit të pronës, përfituesi është i detyruar të nisë zbatimin e projektit të miratuar brenda një viti dhe ta përfundojë brenda afatit trevjeçar. Në rast mospërmbushjeje të kushteve, kontrata mund të prishet dhe prona të rikthehet në fondin publik. Projektet e miratuara duhet të jenë të natyrës bujqësore, agro-turistike, artizanale, edukative ose të mbështesin trashëgiminë kulturore dhe natyrore të zonës.

Si jepen lejet

Lejet për këto zhvillime jepen nga bashkia vetëm pasi projekti të kalojë filtrat teknikë dhe ligjorë. Bashkitë dhe agjencitë qeveritare kanë detyrimin të mbështesin përfituesit me asistencë teknike dhe orientim për të siguruar që projektet të jenë të zbatueshme, të qëndrueshme dhe të sjellin zhvillim afatgjatë në zonat malore. Ligji kërkon që çdo veprim të regjistrohet në një sistem elektronik publik, ku çdo aplikim, vendim dhe statusi i projektit mund të ndiqet në kohë reale nga publiku. Kjo bën të mundur transparencën dhe shmang abuzimet.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe institucionet e tjera monitoruese kanë të drejtë të inspektojnë çdo fazë të procesit dhe të ndërhyjnë në rastet e shkeljeve të ligjit, ose përdorimit të pasaktë të pronave. Kriteret për përfitim përfshijnë posedimin e pandërprerë të një pasurie për të paktën 10 vite, prova të investimeve të bëra dhe një plan zhvillimi të detajuar me impakt konkret për komunitetin lokal dhe mjedisin. Nëse prona tjetërsohet ose nuk zhvillohet brenda afatit të përcaktuar, përfituesi humbet të drejtën mbi të dhe ajo rikthehet automatikisht në fondin publik të pronave, pa të drejtë kompensimi financiar. Përfituesit përfitojnë lehtësi fiskale në fazat e para të investimit dhe kanë përparësi në aplikimet për fonde nga skemat mbështetëse të shtetit dhe të donatorëve ndërkombëtarë për zhvillim rural dhe turizëm.

/Gazeta Panorama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko