Ministri i Brendshëm, Taulant Balla në gjimnazin “Gjergj Kastriot Skënderbeu” në Krujë, ku bashkëbisedoi me nxënësit dhe stafin pedagogjik, lidhur me Paketën e Sigurisë në Shkolla.

Balla tha se me këtë paketë garantohet një tjetër nivel sigurie në institucionet arsimore, ndërsa ftoi të rinjtë të qëndrojnë sa më larg veseve të këqija dhe sa më pranë aktiviteteve sportive.

“Drejtoresha e tha, që ndoshta është rastësi e bukur që kemi ardhur këtu në shkollën ‘Gjergj Kastrioti Skënderbeu’, në këtë ditë, kur përkujtojmë 556-vjetorin e ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar. Por nuk është rastësi. Në fakt, ne kemi ardhur sot, këtu, në kuadër të zbatimit të masave të Paketës për Sigurinë në shkolla, për detyrat që i takojnë jo vetëm Policisë së Shtetit, por edhe një sërë institucionesh shtetërore. Pas një semestri të kaluar së bashku përgjatë zbatimit të këtyre masave, mendoj që kemi bërë gjënë e duhur kur morëm këtë vendim. Rezultatet e deritanishme janë ato që duhet dhe thirrja ime për çdo të ri e çdo të re, por edhe për prindërit tuaj, është që të bashkëpunoni sa më shumë me Policinë e Shtetit. Çdo informacion që vjen nga ju është një shtysë dhe bazë e shëndoshë për të luftuar këdo nga ata që kërkon të bëjë biznes me shëndetin tuaj apo financat e familjes suaj.

Kjo shkollë që mban emrin e heroit kombëtar, është një shkollë shumë e rëndësishme jo vetëm për Krujën, por për gjithë vendin, nga e cila ndër vite kanë dalë shumë personalitete, jo vetëm të kësaj zone, por të të gjithë vendit. Do ju sugjeroja dhe nxisja jo vetëm rezultate të mira në mësime, por edhe sa më shumë aktivitete sportive dhe gjithçka tjetër, që i largon fëmijët nga veset, problematikat, bullizmi. Kemi tashmë një fenomen tjetër, të cilin duhet ta luftojmë së bashku, që është bullizmi përmes rrjeteve sociale, dhuna seksuale apo dhuna me bazë gjinore, përmes rrjeteve sociale apo përmes instrumenteve të tjera të teknologjisë dixhitale. Në këtë aspekt, bashkë me mësuesit këtu, të rritim forcën e bashkëveprimit. Ju e keni parë së fundi, Policia e Shtetit ka arritur të identifikojë edhe rastet e dhunës përmes rrjeteve sociale. Jo më larg se para 24 orësh, kemi ndaluar një person, i cili përmes një faqeje ‘fake’ në rrjete sociale, përndiqte dhe sulmonte një shtetase. Unë mendoj që të gjithë e dimë që ky është një problem që ekziston, kështu që në këto raste, ju lutem mos hezitoni që të kontaktoni oficeren e sigurisë, e cila e di fare mirë se kush është protokolli i saj për t’ia referuar çështjen Komisariatit të Policisë dhe më pas, në Drejtorinë e Policisë në Tiranë. Ne kemi një njësi të posaçme të luftës kundër krimit kibernetik, në mënyrë që të qetësojmë sa më shumë shpirtrat e atyre që janë target i dhunës, por edhe familjet tuaja të cilat shqetësohen sa herë që ndodhin ngjarje të tilla”, – nënvizoi Balla.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re