Qeveria ka vendosur të heqë TVSH për importin me meshqerrave dhe bletëve për nxitur me tej zhvillimin e blegtorisë në vend e cila është përfshirë në krizë vitet e fundit nga rënia e numrit të krerëve bagëtive.

Kjo masë është parashikuar në Paketën Fiskale 2024. Projektligji për këtë qëllim parashikon  përjashtimin nga tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e mëshqerrave dhe insekteve (përfshirë edhe bletët), sipas kodeve përkatëse në Nomenklaturën e Kombinuar të Mallrave.

Sipas Ministrisë së Financave synimi është nxitja e importit të tyre me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë; zhvillimin e sektorit të bletarisë, stimulimin e prodhimit bio dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, sikurse shprehet në shkresën e saj drejtuar Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, në përputhje me Strategjinë për Bujqësinë, Zhvillimin Rural dhe Peshkimin 2021-2027, ka bërë një analizë të sektorëve, ku është evidentuar se për të arritur objektivat e përcaktuar nevojiten disa ndryshime në aplikimin e tatimit mbi vlerën e shtuar për inputet bujqësore.

Në vijim të kësaj shkrese dhe, sipas kërkesës së parashtruar nga deputeti i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Erion Braçe, me anë të këtij projektligji propozohet përjashtimi nga tatimi mbi vlerën e shtuar për importimin e:

Mëshqerrave të racës së pastër për riprodhim dhe insekteve. Ky propozim synon nxitjen e importit të mëshqerrave dhe insekteve (përfshirë edhe bletët), me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë, zhvillimin e sektorit të bletarisë, stimulimin e prodhimit bio, duke eliminuar përdorimin e hormoneve dhe praktikave të zakonshme, si dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme, e cila, për rrjedhojë, do të ndikojë pozitivisht në rritjen e cilësisë së produkteve dhe përmirësimin e imazhit të produkteve vendase, brenda dhe jashtë Shqipërisë. /Monitor

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re