Komuniteti i biznesit ka dalë kundër propozimit të qeverisë për paketën fiskale.

 

Në një lidhje live në studion e lajmeve të Vizion Plus me moderatorin Aleksandër Furxhi, Alban Zusi kryetar i shoqatës së eksportuesve është shprehur se në këtë rast mungon konsultimi paraprak i qeverisë me biznesin.

 

Sipas tij, paketa fiskale nuk duhet hartuar nga zyra, pa njohur më parë realitetin.

 

“Që të kemi paketa fiskale të cilat kalojnë në mënyrë paqësore do të duhet të ketë një proces konsultimi paraprakisht. Komuniteti i biznesit nuk ka asnjë lloj interesi për të qenë në konflikt me qeveritë, përkundrazi do të jetë në partneritet

 

Por kur mungon konsultimi dhe kur paketat fiskale hartohen nga zyrat pa njohur realitetin, shpesh herë pa njohur edhe parimet bazë të funksionimit të ekonomisë atëherë ndodhin të tilla çudira”, tha ai.

 

Zusi shtoi më tej se gjobat që po paralajmëron qeveria do jenë për biznesin e rregullt, dhe jo për ata që nuk lëshojnë kupon tatimor apo nuk kanë një numër NIPT-i.

 

“Jemi në kohë edhe po të ishte në dhjetor. Jemi në kohë deri sa të votohet në kuvend. Gjërat janë të thjeshrta dhe biznesi është e qartë në kërkesat e saj për të performuar në kushtet e krizës. Ajo çfarë ne u përpoqëm të themi publikisht për hartuesit e paketës është se nuk është kjo zgjidhja për të mbajtur njerëzit në punë dhe për të rritur rrogat e punëtorëve.

 

Nuk rriten rrogat e punonjësve duke rritur gjoba 13 mijë euro. Gjobat do jenë për ata që janë të rregullt. Ata të parregulltit apo ata që nuk kanë numër NIPT e nuk lëshojnë kupon nuk do gjobiten. Do gjobiten vetëm bizneset e rregullta. Nëse një punonjës bën gabime ne nuk duhet të paguajmë gjobë”, shtoi Zusi.

 

Kryetari i shoqatës së eksportuesve tha më tej se shteti duhet të heqë TAP për rrogat e punonjësve dhe të shtojë tatimin e fitimit për biznesin.

 

“Unë edhe më parë kam thënë që të hiqet TAP për rrogat e punonjësve dhe të shtohet tatimi i fitimit mbi bizneset. Çdo kush që e bën biznesin për sfidë ndaj vetes dhe kontribut të shoqërisë, do të donte të taksohej biznesi jo punonjësi. Përsëri nëse duhet të rritet taksë për biznesin jam i gatshëm ta pranojmë, le të rrisim edhe tatim fitimin. Por të heqim TAP për punonjësin”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re