Një sërë ndryshimesh me karakter fiskal kanë marrë miratimin e kuvendit, për të lehtësuar barrën e individëve por edhe bizneseve.
Bëhet fjalë për përjashtime nga tatim fitimi, tvsh si dhe tasa e ndikimit në infrastrukturë , të cilat i shtrijnë efektet nga një janari i 2021 i cili përkon edhe me një vit zgjedhor.
Konkretisht, çdo biznes me xhiro nga 5 deri në 8 mln lekë në vit nuk do të paguajë tatim të thjeshtuar mbi fitimin. Përfitues pritet të jenë rreth 5 mijë biznese.
Paralelisht qeveria kërkon që të përjashtojë nga taksa e ndikimit në infrastrukturë edhe ato objekte biznesi që rindërtohen pas tërmetit. Deri më tani janë hequr vetëm banesat individuale.
Por këshilli i ministrave ka miratuar edhe uljen e tatimit mbi vlerën e shtuar në 6 % për çdo investim në fushën e sportit që kryen qeveria apo edhe federatat sportive.
Përjashtimi nga tatim fitimi i biznesit me xhiro deri 14 mln u premtua kohë më parë nga kryeministri dhe kjo nisëm do të shtrijë efektet deri në vitin 2029.
