Ministria e Brendshme në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit kanë hartuar një plan masash në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, bëri me dije se në çdo shkollë do të përcaktohet një perimetër sigurie në formën e gardhit, i cili do të jetë të paktën 50 metër.
Balla thekson se ka në “tryezë” paketën e ndryshimeve ligjore për të parandaluar krimet dhe fenomenet shqetësuese që prekin sigurinë e nxënësve.
“Do të propozojmë paketë ndryshimesh ligjore për ashpërsimin e ndëshkimit për të gjitha veprat penale që kryehen në perimetrin e sigurisë, duke filluar nga shitja/ shpërndarja e lëndëve narkotike dhe më tej mbajtja pa leje e armëve të zjarrit, armëve të ftohta si dhe çdo vepër dhune, shfrytëzimi, prostitucioni apo pornografie”, tha Balla duke theksuar se synim mbetet parandalimi i këtyre veprave penale.
Ministri i Brendshëm shtoi se policët që thyejnë besimin e komunitetit dhe nxënësve duke mos zbatuar ligjin apo bashkëpunuar me krimin e kryer në perimetrin e sigurisë do të largohen përgjithmonë nga radhët e Policisë së Shtetit.
Njëkohësisht, Balla thekson se në lokalet ku do të konstatohet shit-blerja e lëndëve narkotike do të kërkohet heqja e licencës për subjektin.
“Punonjësit e Policisë së Shtetit që, me veprimet apo mosveprimet e tyre, thyejnë besimin e të rinjve dhe komunitetit dhe njollosin uniformën e policit, duke toleruar, kthyer kokën nga ana tjetër, apo më keq, duke u bërë bashkëpunëtorë të krimit që kryhet në Perimetrin e Sigurisë, do të përjashtohen automatikisht dhe përgjithmonë nga radhët e Policisë së Shtetit.
Bizneset tregtare që do të përfshihen në veprimtari penale të rënda në Perimetrin e Sigurisë së Shkollave do të përballen me të gjithë forcën e ligjit deri në mbylljen dhe konfiskimin e pasurive. Këtu dua të jem i qartë! Një bar, ai lokali përballë shkollës, brenda Perimetrit të Sigurisë, tek i cili do të provohet nga Policia dhe konfirmohet nga prokuroria dhe gjykata, përfshirja në veprimtari kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, do t’i hiqet e drejta e ushtrimit të aktivitetit tregëtar”, thekson ai.
Gjithashtu, të gjithë drejtuesit e mjeteve që tejkalojnë normat e shpejtësisë në perimetrin e sigurisë së shkollave do të dënohen maksimalisht.
Zbatimin e dënimit më të lartë të parashikuar nga Kodi Rrugor për tejkalimin e shpejtësisë në rrugët që përfshihen brenda Perimetrit të sigurisë së shkollave. Kam besim se Kuvendi i Shqipërisë, shumica dhe opozita, do të na mbështesin nëse do të jetë e nevojshme për ndryshime të reja në Kodin rrugor, të cilat lidhen me sigurinë e fëmijëve, nxënësve në rrugët brenda Perimetrit të Sigurisë.
Ndërkohë Balla shtoi se kontrolle të shtuara do të ketë dhe për sigurinë e ushqimit që nxënësit konsumojnë.
“Duke filluar nga dita e hënë, 4 shtator, do t’i kërkojmë Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), kontrolle të shtuara në të gjithë vendin në operatorët e shërbimit ushqimor të kategorive të ndryshme që veprojnë në Perimetrin e sigurisë së shkollave lidhur me kushtet e sigurisë ushqimore”
Parandalimi i konsumit të duhanit apo substancave të paligjshme nga të miturit është një tjetër pikë tek e cila ministri i Brendshëm u ndal.
“Do të imponojmë zbatimin e masës kufizuese të ndalimit të duhanit jo vetëm në institucionet arsimore por edhe në të gjithë Perimetrin e Sigurisë në shkolla. Monitorimin nga Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor të zbatimit të normave higjieno-sanitare në të gjitha institucionet arsimore parauniversitare. Karshillëku që ndodh cdo ditë haptazi në kundërshtim me ligjin, duke iu shitur pije alkoolike të miturve duhet të përfundojë. Ligji ka katër vite që është ndryshuar dhe forcuar. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor dhe Policia e Shtetit duhet të bëjnë detyrën. Tregëtimi i alkoolit duhet ndaluar”