Gjatë aksidenteve të shkaktuara nga reshjet e mëdha të shiut në Pakistan muajin e kaluar kanë humbur jetën 147 persona, ndërsa shirat muson vazhdojnë, duke shkaktuar përmbytje, theksuan zyrtarët.

Drejtoria kombëtare për menaxhim me katastrofa njoftoi se 88 gra dhe fëmijë janë në mesin e të vdekurve. Shirat muson dëmtuan shtëpi, rrugë, ura dhe termocentrale në të gjithë Pakistanin.

Situata ishte veçanërisht e rëndë në qytetin port kryesor jugor Karaçi, më i madhi i vendit, ku lagje të tëra u përmbytën të hënën.

“Aktualisht, situata është e tillë që duhet të udhëtojmë me varka dhe jo me automjete, sepse rrugët janë të përmbytura”, tha banori i Karaçit, Abdul Raheem.

Shumë prej tyre duhej të linin makinat e tyre në rrugët e përmbytura dhe të ecnin nëpër ujërat e thella.

Shirat dy herë më të dendur se mesatarja filluan në mes të qershorit, duke shkaktuar kaos në provincën jugperëndimore të Baluchistanit, ku 63 persona kanë vdekur deri më tani.

Në provincën e Sindhit, ku ndodhet edhe Karaçi, të paktën 26 persona humbën jetën. Reshjet e dendura kanë goditur gjithashtu Islamabadin dhe provincën lindore të Punjabit.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re