Skip to content

Pakistan: nga kush dhe pse u sulmua ambasadori kinez në një nga hotelet më luksoze (pamje)

Një shpërthim bombe në një hotel luksoz në qytetin Quetti të Pakistanit ka vrarë katër persona dhe plagosur 11 të tjerë.

Dyshohet se shënjestra e sulmit në parkingun e hotelit Serena ishte Nong Rong, ambasadori kinez në Pakistan, raporton BBC.

Ambasadori Rong ishte në Quetta, kryeqyteti i provincës Balochistan afër kufirit me Afganistanin, por në atë kohë nuk ishte në vendin e ngjarjes.

“Një makinë e plotë me eksploziv shpërtheu në parkingun e hotelit,” tha ministri i Brendshëm pakistanez, Sheik Rashid Ahmad.

Forcat e sigurisë arritën në hotel dhe askush nuk u lejua të afrohej në vendin e shpërthimit. Pamjet në lajmet lokale tregojnë makina në flakë dhe një zjarr të furishëm në parkingun e hotelit, ndërsa policia tha se ata kishin hapur një hetim.

Hotel Serena është më i famshmi në Quetta dhe njihet si një vend i zgjedhur nga zyrtarë të qeverisë dhe zyrtarë të shquar.

Talibanët morën përgjegjësinë për sulmin pa dhënë detaje. Në muajt e fundit, organizatat militante kanë shtuar sulmet në zonat fisnore pranë kufirit me Afganistanin. Balochistani është vendi i një kryengritjeje të përhershme separatiste.

Militantët po kërkojnë pavarësi nga pjesa tjetër e Pakistanit dhe kundërshtojnë projektet kryesore të infrastrukturës kineze në zonë.