Të paktën një polic humbi jetën ndërsa 3 policë tjerë dhe një civil u plagosën në një shpërthim me bombë pranë një stacioni të policisë në veriperëndim të Pakistanit.

Sipas Departamentit të Urgjencës së Shpëtimit, bomba shpërtheu përpara pikës së kontrollit të policisë Chamtar në rrugën Nasata në qarkun Mardan të provincës Khyber Pakhtunkhwa.

“Deri më tani është vrarë një polic dhe janë plagosur katër të tjerë të cilët i kemi transferuar në kompleksin mjekësor Mardan”, tha përmes telefonit për AA, zëdhënësi i Departamentit të Urgjencës 1122”, Bilal Faizi.

Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet pas ngjarjes.

Mardan, qyteti i dytë më i madh i Khyber Pakhtunkhwa, ndodhet rreth 50 kilometra në verilindje të kryeqytetit provincial Peshawar.

Në mars, të paktën 63 persona humbën jetën dhe rreth 200 u plagosën kur një sulmues vetëvrasës synoi besimtarët që falnin namazin e xhumasë në një xhami shiite në Peshawar.

Sulmi i fundit ka ngjallur frikën e rikthimit të terrorizmit në Peshawar dhe pjesë të tjera të provincës, e cila për një kohë të gjatë ishte vatër e terrorizmit, por viteve të fundit ishte e qetë pas përmirësimit të sigurisë në vendin e Azisë Jugore.

Të mërkurën, gjatë një shkëmbimi zjarri me terroristë u vra një ushtar pakistanez në zonën Mir Ali të distriktit të Vaziristanit të Veriut pranë kufirit afgan.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re