Qindra mbështetës të ish-kryeministrit pakistanez Imran Khan u përleshën sot sërish me policinë në qytetin verilindor Lahore, pasi policia rrethoi rezidencën e tij për ta arrestuar me urdhër të gjykatës, raporton Anadolu.

Policia, megjithatë, nuk arriti të zbatojë urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata e Qarkut Islamabad në fillim të kësaj jave lidhur me rastin e blerjes dhe shitjes së paligjshme të supozuar të dhuratave që kishte pranuar nga zyrtarë të huaj gjatë kohës kur ishte në pushtet.

Pas përleshjeve të ashpra me protestuesit, policia dhe rojet paraushtarake morën kontrollin e hyrjes kryesore të rezidencës së Khan-it, raportoi transmetuesi lokal “Geo News”.

Më shumë se 60 policë dhe 8 civilë u transferuan në dy spitale qeveritare të martën, njoftoi policia e Lahores. Partia Pakistan Tehreek-e-Insaf (PTI) e Khan-it pretendon se dhjetëra aktivistë të saj janë plagosur dhe arrestuar.

Qeveria ka shpallur tashmë gjendje emergjente në spitalet e Lahores, pasi ekziston mundësia e përplasjeve të reja.

Qindra policë të mbështetur nga topa uji dhe transportues të blinduar, rrethuan rezidencën e fortifikuar të ish-kryeministrit në një lagje të pasur të Lahores të martën, ndërsa aktivistët mbanin në duar shkopinj dhe i gjuajtën me gurë.

Policia përdori dje topa uji për të zmbrapsur aktivistët e partisë PTI të Khan-it, të cilët hodhën gurë dhe për pak kohë morën kontrollin e hyrjes kryesore të rezidencës së liderit të partisë së tyre.

Mbështetësit e Khan-it, përfshirë gra, u mblodhën para rezidencës së tij në përpjekje për të parandaluar arrestimin e tij. Ata formuan një “mur të gjallë” për të parandaluar policinë të afrohej në shtëpinë e Khan-it.

Shefi i policisë së Lahores, Bilal Kumjana u tha gazetarëve të martën se efektivët e policisë të ngarkuar për arrestimin e Khan-it janë “të paarmatosur dhe se ata kishin ardhur për të zbatuar thjesht urdhrat e gjykatës”.

Një ekip i përbashkët i Policisë Metropolitane të Islamabadit dhe Lahores arriti në rezidencën e ish-kryeministrit një ditë pasi gjykata e qarkut ripërtëriu të hënën urdhrin e arrestit pasi ai nuk u paraqit para gjykatës pavarësisht udhëzimeve nga Gjykata e Lartë e Islamabadit në rastin lidhur me prokurimin dhe shitjen e paligjshme të dhuratave që iu bënë nga zyrtarë të huaj gjatë kohës sa ishte në pushtet.

Fillimisht, urdhri u lëshua në shkurt, por Gjykata e Lartë e Islamabadit e pezulloi atë javën e kaluar dhe urdhëroi Khan-in të paraqitej para gjykatës më 13 mars.

Më herët, më 5 shkurt, policia nuk arriti ta arrestonte Khan-in për shkak të kundërshtimit të mbështetësve të tij.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re