Shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore të Turqisë, gjeneral-lejtnant Veli Tarakcı, i cili ndodhet në Pakistan në kuadër të vizitës së tij zyrtare, me komandantin e forcave tokësore pakistaneze, gjeneralin Qamar Javed Bajva, diskutoi për bashkëpunimin dypalësh të mbrojtjes, sigurinë rajonale dhe Afganistanin.

Sipas deklaratës së bërë nga Njësia e Marrëdhënieve Publike të Ushtrisë së Pakistanit (ISPR), shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore, Tarakcı, u takua me komandantin e Forcave Tokësore të Pakistanit, gjeneral Bajva Rawalpindi.

Gjatë takimit u diskutuan çështjet e sigurisë rajonale, bashkëpunimi në mbrojtje dhe siguri mes dy vendeve dhe zhvillimet në Afganistan.

Komandanti i Forcave Tokësore të Pakistanit Bajva theksoi rëndësinë e paqes në Afganistan dhe tërhoqi vëmendjen për nevojën e përpjekjeve ndërkombëtare për parandalimin e krizës humanitare në këtë vend.

Bajva theksoi se ata vlerësojnë shumë marrëdhëniet vëllazërore me Turqinë, të cilat kanë një histori të rrënjosur thellë dhe bazohen në lidhje kulturore dhe fetare.

– Bashkëpunimi në mbrojtje mes dy vendeve është rritur në vitet e fundit

Shefi i Shtabit të Komandës së Forcave Tokësore, Tarakcı, u ndal në rritjen e bashkëpunimit me ushtrinë pakistaneze në fusha të ndryshme dhe vlerësoi rolin e Pakistanit në Afganistan, menaxhimin e kufijve dhe stabilitetin rajonal.

Të dyja palët ranë dakord të forcojnë lidhjet ushtarake në trajnim dhe kundër terrorizmit.

Pakistani dhe Turqia kanë rritur bashkëpunimin e tyre ushtarak dhe mbrojtës gjatë viteve të fundit.

Pakistani nënshkroi një marrëveshje me Turqinë për 4 korveta MİLGEM në 2018.

Në kuadër të projektit, 2 anije prodhohen në Stamboll dhe 2 anije në Karaçi. MİLGEM i parë synohet t’i dorëzohet marinës pakistaneze në vitin 2023.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re