Pakistani dhe Turqia sot u dakorduan të ndjekin një strategji të përbashkët për çështje me interes të përbashkët në nivelin ndërkombëtar, bëri të ditur Ministria e Jashtme e Pakistanit.

Marrëveshja erdhi gjatë takimit midis ministrit të Jashtëm të Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi dhe homologut të tij turk, Mevlüt Çavuşoğlu, në Islamabad.

Çavuşoğlu të martën arriti për vizitën e tij treditore zyrtare në Pakistan për të marrë pjesë në një takim trepalësh me homologët e tij të Pakistanit dhe Azerbajxhanit.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme, diplomatët e lartë të dy vendeve shprehën kënaqësinë mbi marrëdhëniet e tanishme dypalëshe midis Islamabadit dhe Ankarasë dhe theksuan nevojën për zbatimin sa më shpejt të Kornizës Ekonomike Strategjike Pakistan-Turqi.

Qureshi e informoi homologun e tij turk në lidhje me shkeljet e të drejtave të njeriut të kryera nga forcat indiane në “Xhamu Kashmirin e okupuar indian në mënyrë të paligjshme”, dhe falënderoi Ankaranë për mbështetjen e saj të palëkundur për Pakistanin në mosmarrëveshjen mbi Kashmirin.

Ai po ashtu e informoi ministrin Çavuşoğlu mbi përpjekjet pajtuese të vendit të tij për të sjellë paqe të qëndrueshme në Afganistan dhe tha se Pakistani do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e paqes për t’i dhënë fund konfliktit 19-vjeçar në vendin e shkatërruar nga lufta.

“Shah Mehmood Qureshi mirëpret ngjashmëritë në pikëpamjet midis dy vendeve në nivelin ndërkombëtar”, përfshirë OKB-në dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islam (OIC), thuhet në deklaratë.

Të dy ministrat e jashtëm u dakorduan të miratojnë një strategji të përbashkët për çështje me interes të ndërsjellë në nivelin ndërkombëtar dhe të bëjnë përpjekje të përbashkëta për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh.

Qureshi dhe Çavuşoğlu shprehën shqetësime të thella për rritjen e islamofobisë ndërkombëtare dhe u zotuan të miratojnë një strategji të përbashkët për të mbrojtur vlerat islame. Diplomati i lartë pakistanez po ashtu përgëzoi homologun e tij turk për zbulimin e gazit natyror verën e kaluar në Detin e Zi. Nga ana e tij, ministri i Jashtëm turk falënderoi ministrin Qureshi për mbështetjen dhe ndihmën e Pakistanit për çështje të ndryshme turke.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re