Presidenti i Pakistanit, Arif Alvi, ka kritikuar komunitetin ndërkombëtar për mbylljen e syve ndaj mizorive të kryera nga forcat qeveritare kundër popullit të pafajshëm në Kashmirin e administruar nga India.

Duke folur për “Ditën e zezë” të Kashmirit në një tubim në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad, Alvi tha se qeveria aktuale indiane e udhëhequr nga Narendra Modi ka kryer mizoritë më të tmerrshme kundër popullit të Kashmirit.

“Bota duhet t’i përmbush premtimet e bëra me popullin e Kashmirit”, tha presidenti pakistanez, duke iu referuar rezolutave të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) mbi Kashmirin.

Pasi India dhe Pakistani fituan pavarësinë nga sundimi kolonial britanik më 27 tetor të vitit 1947, trupat indiane u pozicionuan në kryeqytetin Srinagar të Xhamu dhe Kashmirit. Populli pakistanez dhe ai i Kashmirit e përkujtojnë përvjetorin e aksionit indian si “Dita e zezë”, ndërkohë India e përkujton atë si “Dita e aderimit”. Që nga ajo kohë, ky rajon ka qenë burim i tensioneve midis Indisë dhe Pakistanit.

Në vitin 1989, grupet rezistence të Kashmirit nisën një fushatë për pavarësi ose për bashkim me Pakistanin, fushatë e cila, sipas grupeve të të drejtave të njeriut çoi në 70 mijë vdekje.

“Pakistani dëshiron të tërheq vëmendjen e qeverive dhe popujve nëpër botë se kjo nuk është një çështje tregtie (me Indinë). Nuk ka demokraci në Indi, por histori të shtypjes së pakicave, veçanërisht muslimanët po shtypen atje”, tha Alvi.

Për të treguar solidaritet me popullin e Kashmirit, presidenti udhëhoqi një tubim nga Shtëpia e Parlamentit në D-Chowk, të cilit iu bashkua kreu i Asamblesë Kombëtare, Asad Qaiser, ministra federalë, ligjvënës, zyrtarë dhe anëtarë të shoqërisë civile.

Duke kritikuar politikat e kryeministrit indian, Alvi pretendoi se qeveria e tij “fashiste” ka lëshuar një valë mizorish kundër muslimanëve dhe grupeve të tjera të pakicave në Indi.

Ai po ashtu akuzoi Indinë për shkeljen e të drejtave të njeriut në Kashmir dhe tha se bota duhet të marrë parasysh vuajtjen e popullit të Kashmirit për shkak të rrethimit ushtarak në vazhdim të imponuar nga qeveria e Indisë në këtë territor që nga gushti i vitit 2019.

Vendi shënoi “Ditën e zezë” për të shprehur solidaritet me popullin e Xhamu dhe Kashmirit në 74-vjetorin e mosmarrëveshjes në rajon.

Dita filloi me lutje të posaçme në namazin e sabahut për ata që u vranë në konfliktin e Kashmirit të administruar nga India.

Aktivistët politik, social dhe ato të të drejtave të njeriut organizuan tubime në qytetet më të mëdha të vendit, përfshirë në Karachi, Lahore, Islamabad, Peshaëar dhe Muzaffarabad, për të dënuar “pushtimin e paligjshëm” të luginës dhe për të kërkuar nga OKB-ja të përmbushë rezolutat e saj për Kashmirin.

Ndërkohë, kryeministri pakistanez, Imran Khan, përsëriti mbështetjen e palëkundur diplomatike, morale dhe politike të vendit të tij për popullin e Kashmirit.

“Fatkeqësisht, sot India udhëhiqet nga ideologjia e RSS-së, që nuk ka vend për muslimanët apo pakicat e tjera në ideologjinë e saj ekstremiste. Si rezultat, partia në pushtet BJP (Partia Bharatiya Janata) ka përdorur metoda më brutale për të shuar zërin”, tha Khan në një deklaratë.

Ai kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar të luajë rol në ushtrimin e presionit mbi Indinë që menjëherë të ndalojë shkeljet e të drejtave të njeriut në Kashmir dhe të lejojë popullin e Kashmirit të vendosë për të ardhmen e vet në përputhje me rezolutat e KS-OKB-së.

– Rajoni i diskutueshëm

Kashmiri, një rajon me shumicë muslimane në Himalaje, administrohet nga India dhe Pakistani në pjesë dhe pretendohet nga të dyja në tërësi.

Që kur u ndanë në vitin 1947, të dyja vendet kanë zhvilluar tre luftëra, në vitin 1948, 1965 dhe 1971, dy prej të cilave ishin për Kashmirin.

Disa grupe në Xhamu dhe Kashmir kanë luftuar kundër sundimit indian për pavarësi ose për bashkim me Pakistanin fqinj.

Sipas disa organizatave të të drejtave të njeriut, që nga viti 1989 mijëra njerëz raportohet se janë vrarë në konfliktin në rajon.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re