Një bisedë telefonike e zhvilluar të hënën midis Vladimir Putinit dhe Donald Trumpit ka rindezur spekulimet për një rirregullim të tregjeve globale të energjisë. Kjo bisedë pason Samitin e Alaskës në gusht 2025, ku dy liderët hodhën bazat e një bashkëpunimi pragmatik që sotpo merr formë përmes diplomacisë së forcës dhe shantazhit energjetik.

Putin po përdor sukseset ushtarake në terren si levë presioni, duke i kërkuar Trump-it të shtyjë presidentin ukrainas Zelensky drejt negociatave të menjëhershme. Sipas Kremlinit, realiteti i ri duhet të pranohet nga Kievi si kusht për paqe, ndërkohë që vëmendja e Ukrainës është e fragmentuar për shkak të shpërthimit të krizës iraniane, e cila po destabilizon të gjithë rajonin.

Një element që bie në sy, është qëndrimi cinik i Putinit ndaj sulmeve që po pëson aleati i tij strategjik, Irani. Edhe pse publikisht shfaqet publikisht i “nervozuar” nga presioni ndaj Teheranit, ai po përfiton direkt.

Tensionet në Lindjen e Mesme kanë rritur çmimet e naftës dhe gazit, duke i dhënë Moskës pushtetin ekonomik që i nevojitej për të diktuar kushte. Në vend që të ofrojë ndihmë ushtarake për Iranin, Putin po nxiton të hapë dyert e Bashkimit Evropian.

Ai i ka dërguar një mesazh “provokues” Brukselit, duke u shprehur i gatshëm të garantojë furnizimet me energji për të stabilizuar tregjet. Kjo lëvizje shihet si një përpjekje për të thyer izolimin 4-vjeçar të Rusisë përmes nevojës urgjente të Evropës për karburant.

Nga ana e tij, Donald Trump ka ripërsëritur se një armëpushim i shpejtë është në interesin kombëtar të SHBA-së, një qëndrim që përputhet me frymën e bisedimeve të zhvilluara në Alaskë.

Kjo dakordësi e heshtur mes Uashingtonit dhe Moskës lë të kuptohet se fati i Ukrainës po vendoset në tryeza ku energjia shërben si monedha kryesore e këmbimit. Situata e vendos BE-në përpara një dileme: të mbajë parimet kundër agresionit rus apo të pranojë ofertën e Putinit për të shpëtuar ekonominë e saj.

Analistët vlerësojnë se kriza e aleatit iranian dhe rritja e çmimeve po përdoren mjeshtërisht nga Putin për të detyruar një paqe sipas kushteve të tij, duke shfrytëzuar dobësitë e Perëndimit. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re