VALENTINA MADANI/ Kryeparlamentarja Lindita Nikolla do të mbledhë sot Konferencën e Kryetarëve, që pritet të mbahet në orën 13:30 ku me shumë gjasa, kjo mbledhje do të zhvillohet për diskutimin e dakordësisë për negociatat PS-PD.

Pas negociatave intensive të 2 javëve të fundit mes kreut të grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçit dhe homologut demokrat Gazment Bardhi, pritet që opozita të heqë dorë nga strategjia bllokuese që në seancën e 21 marsit. PS-ja ka pranuar 2 prej 8 kërkesave të opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, por ende nuk dihet se për cilat bëhet fjalë.

Në këtë mënyrë, marrëveshja mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha për zgjidhjen e ngërçit të krijuar në Parlament duket se është afër. Mësohet se komunikimet mes kryetarëve të grupeve parlamentare Bledi Çuçi e Gazment Bardhi vazhduan edhe dje dhe në parim bëhet me dije se ka një dakordësi për të zgjidhur dy prej kërkesave kryesore të opozitës; reformën zgjedhore dhe komisionet hetimore. Çështja më e rëndësishme për PD-në e drejtuar nga Sali Berisha është reforma zgjedhore dhe prej 5 muajsh deputetët demokratë kanë bllokuar Parlamentin duke kërkuar shkarkimin e Enkelejd Alibeajt dhe zgjedhjen e Oerd Bylykbashit në postin e bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore.

Por, komisionit i mbaron mandati të enjten e ardhshme dhe socialistët kanë vendosur të mos e zgjasin, duke i dhënë fund debatit se kush përfaqëson opozitën në këtë komision. Burimet bëjnë me dije se ka dakordësi mes dy kampeve që reforma të realizohet nga Komisioni i Ligjeve, me saktësisht nga një nënkomision i ngritur nga ligjet ku PD e PS të kenë numër të barabartë përfaqësuesish dhe ky mekanizëm është i pranueshëm për të dyja palët.

Ndaj në lidhje me kërkesat e PD-së për ngritjen e komisioneve hetimore është rënë dakord që nga 8 kërkesat e depozituara nga opozita të ngrihen dy komisione, pasi të rishikohet objekti i tyre. Për të zyrtarizuar këtë kompromis të arritur pas bisedimeve mes Bledi Çuçit e Gazment Bardhit, me ndihmën e ambasadorëve të BE-së dhe Britanisë së Madhe, pritet të mblidhet sot Konferenca e Kryetareve për të futur zyrtarisht në kalendarin e parlamentit ngritjen e komisioneve hetimore. E nëse gjithçka shkon sipas parashikimeve, atëherë protestat e opozitës mbyllen dhe mbledhja ardhshme e parlamentit, më 18 mars, do të jetë një seancë normale me diskutime dhe debate për rendin e ditës.

Më herët kryeparlamentarja Lindita Nikolla ka zhvilluar takime të ndara në Kryesinë e Kuvendit me kreun e grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçin, por edhe me kryetarët e dy komisioneve, Damian Gjiknurin e Reformës Zgjedhore dhe Klotilda Bushkën e Ligjeve, me gjasë për të diskutuar me ta mundësitë sesi do të qasen në negociata me grupin e “Rithemelimit” për çështjen e “Zgjedhores”. Për këtë çështje, që është pika më e vështirë e negociatave, diskutimet janë që nëse Komisioni Bipartizan, ku Rithemelimi ka refuzuar të marrë pjesë përsa kohë bashkëkryetar është Enkelejd Alibeaj i PD-së, dështon të prodhojë një produkt deri në fund të marsit kur i mbaron mandati, të zhvendoset në një nën-komision në Kuvend, ku Gazment Bardhi kërkon të ketë më shumë anëtarë se PD-ja zyrtare, duke vlerësuar se ai është opozita reale. Për Reformën Zgjedhore një përpjekje për të ulur palët e për të dëgjuar propozimet e tyre do ta bëjë dhe OSBE-ODIHR, që më 13 mars sjell në Shqipëri ekspertët e saj për një tryeze pune, ku edhe Bardhi mësohet se do të ketë përfaqësuesin e tij.

Sa i takon kërkesës së “Rithemelimit” për komisionet hetimore, palët duket të jenë dakordësuar për të pranuar 2 të tillë, me kushtin që objekti të jetë konkret. Prej gati 5 muajsh në Kuvend nuk ka një normalitet, pasi grupi i “Rithemelimit” vijon me skenarin e bllokimit. Gazmend Bardhi nuk u është bashkuar prej thuajse 5 muajsh mbledhjeve të Konferencës së Kryetarëve, por bisedimet mund ta rikthejnë atë në tryezën e drejtuesve të grupeve parlamentare, çka do të ishte shenja e parë e një dakordësie në horizont për t’i dhënë fund kaosit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re