Palestina i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të “marrë përsipër përgjegjësitë e saj” për të ndaluar gërmimet e Izraelit në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa në Kuds.

Kjo erdhi në një deklaratë nga Ministria palestineze e Punëve të Jashtme dhe Mërgatës në lidhje me pretendimet e gërmimeve Izraelite në murin Al-Burak, apo Muri Perëndimor, që ndodhet pranë Urës Mughrabi që të çon në Xhaminë Al-Aksa nën kontrollin e Izraelit që nga okupimi në vitin 1967.

Në deklaratë, ministria dënoi “në termat më të fortë” gërmimet dhe i konsideroi “vazhdim i planeve izraelite për të judaizuar xhaminë e bekuar Al-Aksa dhe rrethinat e saj”.

Ministria i konsideroi gërmimet “një shkelje flagrante të rezolutave përkatëse të OKB”.

Të dielën, Departamenti i Fondacioneve të Kudsit paralajmëroi për projektet në vijim për “judaizimin e Murit Al-Burak”.

Në një deklaratë, departamenti tha se ndjek “me shqetësim të madh punën e vazhdueshme të gërmimit në Sheshin Al-Burak dhe pranë Urës Mughrabi”.

Nga ana e tij, Komiteti i Lartë Presidencial i Çështjeve të Kishave në Palestinë paralajmëroi kundër rreziqeve të zbatimit të një projekti të judaizimit që synon identitetin, historinë dhe tiparet e Qytetit të Vjetër në Kudsin Lindor.

Më parë, Jordania kërkoi që Izraeli të ndalonte menjëherë gërmimet në Murin e Al-Burak.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Jordanisë, Daifallah Al-Fayez, tha në një deklaratë më herët tha se autoritetet izraelite duhet të ndalojnë menjëherë punën e vazhdueshme në Murin Al-Burak.

Që nga okupimi i tij në vitin 1967, Kudsi i është nënshtruar operacioneve intensive të judaizimit ndërsa qeveritë e njëpasnjëshme të Izraelit kanë punuar për të intensifikuar aktivitetin e kolonizimit dhe zhvendosjes së palestinezëve nga Kudsi, në kundërshtim me rezolutat ndërkombëtare.