Kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh, i kërkoi administratës së SHBA-së të bëjë presion ndaj Izraelit që të ndalojë planin e tij për të ndërtuar vendbanime të reja kolone në Bregun Perëndimor të pushtuar.
Kryeministri Shtayyeh foli në mbledhjen javore të kabinetit të qeverisë palestineze.
Shtayyeh theksoi se qeveria izraelite miratoi plane të reja vendbanimi për hebrenjtë në pjesë të ndryshme të Bregut Perëndimor sapo përfundoi vizita e presidentit të SHBA-së, Joe Biden në Izrael, Palestinë dhe në Arabinë Saudite më 13-16 korrik.
“I bëjmë thirrje administratës së SHBA-së të ndalojë këto plane që do të minojnë opsionin për një zgjidhje me dy shtete. Vendbanimet kolone duhet të ndalen menjëherë në përputhje me rezolutat ndërkombëtare për të mbrojtur të drejtën e popullit palestinez për një shtet të pavarur”, tha Shtayyeh.
Presidenti Biden si pjesë e turneut të tij rajonal u takua edhe me presidentin palestinez, Mahmoud Abbas, në qytetin e Betlehemit të Bregut Perëndimor.
Në fjalimin e tij, Biden përmendi çështjen e “zgjidhjes me dy shtete”, duke thënë: “Si president i SHBA-së, sot qëndroj në krahun tuaj, angazhimi im për zgjidhjen me dy shtete nuk ka ndryshuar. Në kufijtë e vitit 1967, të dy shtetet do të arrijnë siguri, prosperitet, liri dhe demokraci në mënyrë të barabartë për palestinezët dhe izraelitët. Populli palestinez meriton një shtet të pavarur, sovran, të qëndrueshëm dhe koheziv”.
Burimi: AA