Kryeministri palestinez, Muhammad Shtayyeh, ka kritikuar vizitat nga delegacionet arabe në xhaminë Al-Aksa të Kudsit në mbrojtjen e policisë izraelite.

“Në Xhaminë Al-Aksa duhet të futeni përmes portës së pronarëve të saj, jo përmes portës së okupimit izraelit”, tha Shtayyeh gjatë takimit javor të kabinetit të hënën.

“Është e trishtueshme të shohësh disa delegacione arabe që hyjnë në kompleks përmes portës izraelite, ndërsa adhuruesve u mohohet hyrja në të për të kryer lutjet e tyre”, tha ai.

Të dielën, një delegacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) vizitoi Xhaminë Al-Aksa nën mbrojtjen e forcave izraelite.

Vizita erdhi në kohën kur Bahreini dhe Izraeli nënshkruan një marrëveshje të dielën, me çka zyrtarizuan marrëdhëniet e tyre diplomatike.

Shtayyeh e përshkroi marrëveshjen midis Bahreinit dhe Izraelit si një “shpërblim falas për pushtimin izraelit për ta inkurajuar atë të konfiskojë më shumë tokë palestineze dhe të ndërtojë më shumë vendbanime të paligjshme”.

Bahreini, EBA dhe Izraeli ranë dakord të lidhin marrëdhënie të plota diplomatike, kulturore dhe tregtare pas nënshkrimit të marrëveshjeve të diskutueshme të normalizimit më 15 shtator në Shtëpinë e Bardhë.

Lëvizjet janë ndjekur nga një seri njoftimesh për marrëveshje dhe kontrata midis kompanive nga të tre vendet.

Marrëveshjet e normalizimit janë dënuar gjerësisht nga palestinezët, të cilët thonë se marrëveshjet injorojnë të drejtat e tyre dhe nuk i shërbejnë kauzës palestineze.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re