Kryeministri i Palestinës, Mohammad Shtayyeh, ka deklaruar se Palestina ndodhet në një situatë të pashembullt në botë, ku siç theksoi ai, vuan edhe nga pushtimi shkatërrues i Izraelit mbi njerëzit dhe mjedisin, por preket edhe nga ndryshimet klimatike.

Sipas një deklarate nga zyra e Kryeministrisë së Palestinës, Shtayyeh ka marrë pjesë në Konferencën e 27-të të Palëve të Konventës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP27) që po zhvillohet në qytetin Sharm El-Sheikh të Egjiptit dhe ka mbajtur një fjalim në emër të presidentit Mahmoud Abbas.

“Palestina ndodhet në një situatë të pashembullt në botë, ku ajo vuan edhe nga pushtimi shkatërrues i Izraelit mbi njerëzit dhe mjedisin, por preket edhe nga ndryshimet klimatike. Izraeli pushtues po shkatërron natyrën nëpërmjet vendbanimeve, po konsumon burimet natyrore, po gropos në territoret tona mbetjet e tij të ngurta dhe të rrezikshme si dhe po vjedh ujin tonë dhe po çrrënjos pemët tona”, deklaroi Shtayyeh në fjalimin e tij.

Më tej, Shtayyeh tha se që nga pushtimi në vitin 1967 i Rripit të Gazës dhe Bregut Perëndimor, përfshirë Kudsin Lindor, Izraeli ka shkulur nga rrënjët mbi 2,5 milionë pemë prej të cilave 800 mijë janë pemë ulliri.

Ndër të tjera, kryeministri Shtayyeh ka tërhequr vëmendjen se edhe Deti i Vdekur ndodhet nën rrezikun e ekzistencës për shkak të konsumimit të tij nga Izraeli.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re