Ushtria izraelite ka konfirmuar sot, më shumë se një javë pas nisjes së konfliktit se numri i pengjeve që po mbahen nga Hamasi është 126 pa dhënë detaje për identitetin e tyre.

 

E ndërkohë numri i viktimave i ka kaluar 3800 nga të dyja palët e përfshira në konflikt me mijëra të tjerë të plagosur. Mbi 400 mijë palestinezë janë zhvendosur nga banesat e tyre vetëm gjatë javës së fundit.

 

Bilancet në njerëz pritet të rritet edhe më shumë për shkak të situatës humanitare përgjatë rripit të Gazës të shkaktuar pas ultimatumit izraelit për evakuim.

 

Urdhër të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka dënuar. Zhvendosja e urdhëruar përfshin 22 spitale në veri të Gazës që po trajtojnë më shumë se 2000 pacientë të shtruar.

 

“Lëvizja e pacientëve në Gazën jugore, ku objektet shëndetësore tashmë funksionojnë me kapacitet maksimal mund të barazohet me një dënim me vdekje” tha organizata.

 

Nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për çështjet humanitare dhe koordinatori i ndihmës emergjente, Martin Griffiths, ka kërkuar respektimin e rregullave të luftës nga të gjitha palët si dhe mbrojtjen e infrastrukturës civile dhe ndihmave humanitare.

 

Komisioni Evropian ka njoftuar se do të trefishojë ndihmën humanitare. Ky vendim vjen pas kritikave të shumta dhe mesazheve kontradiktore nga lidershipi europian.

 

Edhe Papa Françesku i është bashkuar thirrjeve për krijimin e korridoreve humanitare në Gaza dhe për lirimin e pengjeve të marra nga Hamasi.

 

Pas sulmeve terroriste të Hamasit të shtunën e kaluar, Izraeli ka izoluar të gjithë rripin e gazës duke ndaluar hyrjen e ujit, ushqimit karburanteve dhe ndihmave humanitare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re