Palestinezët organizuan sot një protestë në Rripin e Gazës për të kërkuar që Izraeli t’i japë fund politikës së tij kontraverse të ndalimit administrativ.

Protestuesit mbanin fotografitë e palestinezëve të ndaluar në mënyrë administrative pa gjyq ose akuzë gjatë protestës jashtë zyrës së Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në qytetin e Gazës.

Ata i kërkuan bashkësisë ndërkombëtare të bëjë presion mbi Izraelin për t’i dhënë fund ndalimit administrativ të palestinezëve.

Politika e ndalimit administrativ u lejon autoriteteve izraelite të zgjasin paraburgimin e një të burgosuri pa akuzë ose gjyq.

Dy palestinezë, Khalil Awawdeh dhe Raed Rayan, kanë qenë në grevë urie prej 103 dhe 68 ditësh për të protestuar ndaj ndalimit të tyre pa gjyq.

“I bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjë shpejt për të shpëtuar jetën e të burgosurve, veçanërisht të burgosurve në grevë urie”, tha Zaki Dababesh, koordinatori i një komiteti lokal të të burgosurve.

Ai dënoi “heshtjen e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut ndaj shkeljeve të të drejtave të të burgosurve në burgjet izraelite”.

Sipas vlerësimeve palestineze, janë 4.700 palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, duke përfshirë 32 gra, 170 të mitur dhe gati 640 të mbajtur nën politikën e ndalimit administrativ të Izraelit pa akuza ose gjyq.
Burimi; AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re