Komiteti për të burgosurit palestinezë pranë Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) ka bërë thirrje për të bojkotuar gjykatën ushtarake izraelite në qoftë se zbatohet ligji i cili lejon dënimin me vdekje për palestinezët.
Të mërkurën, në leximin e parë në Parlamentin e Izraelit (Knesset), u miratua projektligji për futjen e dënimit me vdekje për palestinezët. Isa Karaki, kryetari i Komitetit për të burgosurit palestinezë, ka thënë se palestinezët do të kundërshtojnë gjykatën ushtarake izraelite.
Parlamenti izraelit e mori hapin e parë për dënimin me vdekje
Ai shtoi se është e nevojshme të bojkotohet gjykata ushtarake izraelite dhe të ndërpriten të gjitha marrëdhëniet me këtë institucion nëse ky ligj miratohet dhe zbatohet.
“Gjykatat izraelite japin dënime të padrejta. Është e papranueshme që një i burgosur palestinez të dalë para një gjykatë që shqipton dënim me vdekje”, tha Karaki. Projektligji për futjen e dënimit me vdekje për palestinezët u miratua me 52 vota pro dhe 49 kundër.
Projektligji u propozua nga ministri i Mbrojtjes, Avigdor Lieberman dhe u mbështet hapur edhe nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu.
Ligji para miratimit përfundimtar duhet të kalojë edhe dy lexime të tjera./AA/.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re