Durrësi ishte epiqendra e tërmetit prej 6.4 ballë të shkallës rihter dhe që pësoi dëmtimet më të rënda në pallate, hotele, apo njësi të tjera të shërbimit publik dhe jo vetëm.

Jo pak, por dhjetëra pallate janë dëmtuar pjesërisht, apo dëmtuar plotësisht dhe të shndërruar tërësisht në të pabanueshëm. Tërmeti dhe madhësia e tij në shkallën rihter ka qenë shkaku kryesor që shkatërroi pallatet.

Por më shumë se kaq, doli në pah cilësia skandaloze e ndërtimeve.

Mes ndërtuesve të shumtë në qytetin bregdetar rezulton deputeti i PS, Sadri Abazi dhe ish-deputeti Hazir Gashi.

Abazi, siç është denoncuar më parë në media dhe portale, ka nxituar për të hequr katet shtesë në pallatet e tij, pa iu “trembur” kërcënimit të kryeministrit Rama për ndërtuesit.

Lidhur me këtë fakt reagon edhe Jamarbër Malltezi.

Përmes një postimi në Facebook, anëtari i Kryesisë së PD ngre pyetjen: “A ka ligj për deputetët e PS?”

“Kur mbetet të zgjedhësh mes dy deputetëve të PS: tek Sadriu apo tek Haziri. Zgjedhje të vështirë ka mes standardeve të ketilla. A ka ligj për këta apo ligji Snuk për deputetët e PS?”, shkruan në reagimin e tij Jamarbër Malltezi, duke e shoqëruar me foto nga pallatet e dëmtuara dhe që mbajnë firmën e dyshes Abazi-Gashi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re