Një ditë pas përplasjes mes ministrit të Brendshëm me shefin e Urbanistikës në Lezhë për gjendjen e një pallati 12 katësh në këtë qytet, Sandër Lleshaj është përfshirë sërish në një debat për këtë çështje. Teksa konfirmoi se në bazë të dy inspektime nga ekspertë të huaj dhe shqiptarë, u verifikua se ky pallat është i banueshëm dhe se qytetarët mund të hynin brenda, ndërkohë që këta të fundit i kanë kërkuar ekspertizën me dokument dhe vulë.

Ndërkohë në debat është përfshirë dhe ish-deputetja e PD-së Lindita Metaliaj, e cila i ka kërkuar emrat e ekspertëve, apo dhe dokumente që verifikonin certifikimin e pallatit.

“Kam ardhur për të parë edhe njëherë shqetësimet që kanë ngritur banorët e këtij pallati. Po ta shkurtoja gjithë përkufizimin e kësaj situate, kësaj i thonë shumë zhurmë për asgjë. Në harkun e 24 orëve janë bërë dy ekspertiza, një nga ekspertë shqiptarë dhe një nga ekspertë izraelitë dhe konkluzioni është i njëjtë, – pallati nuk ka asnjë problem me sigurinë e tij.

E gjithë zhurma e ngritur është një “shumë zhurmë, për asgjë”, e me këtë rast dua t’i ftoj të gjithë banorët e pallatit që të kthehen në shtëpitë e tyre, t’i kthehen jetës normale dhe të na lënë mundësi të merremi me problemet e shumta që ka në vendet e tjera. Problemet nuk janë në këtë pallat. Probleme ka shumë, tërmeti ka krijuar shumë probleme, por jo këtu.

Problemet janë gjetiu, janë në Laç, janë në Durrës, janë në Thumanë e të tjera. Këtu njerëzit duhet të kthehen në jetën e tyre të përditshme, sepse nuk ka asgjë për t’u shënuar dhe asgjë për t’u shqetësuar. Nuk ka asnjë problem me sigurinë e këtij pallati të certifikuar dy herë brenda 24 orëve, dhe banorët duhet të kthehen në shtëpitë e tyre. Dhe ju lutem të gjithë atyre që po e përdorin këtë kohë për të bërë zhurmë, të mos bëjnë zhurmë kot.

Ekspertë nga gjithë bota, për të na ndihmuar, plus të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë,- të ndihmojnë, – dhe lus të gjithë ata që nuk kanë ndërmend të ndihmojnë, – të paktën të heshtin dhe të mos përhapin, as panik, as të mos ngatërrojnë. Kjo është ajo që kërkohet. Ose të ndihmojnë, ose të tërhiqen dhe të mos ngatërrojnë njerëzit.

Vëllezër e motra, të gjithëve ju ftoj edhe njëherë: – kthehuni në shtëpitë tuaja, pallati është i qëndrueshëm, i konfirmuar dy herë, nga dy palë ekspertësh, shqiptarë dhe izraelitë! Ju ftoj të ktheheni në shtëpitë tuaja dhe mbyllni veshët për çdo njeri që përhap lajme të pavërteta dhe të pasakta. Ju faleminderit!”, tha Lleshaj.

DEBATI ME ISH-DEPUTETEN

Nje banor i pallatit: Duam të shohim dokumentin me firmë

Lleshaj: Jo nuk kam

Lindita Metaliaj: Zoti ministër, në këtë pallat banojnë 140 familje. E duam një shkresë, me firmë dhe vulë. Ekspertët nuk i kishin të gjitha pajisjet. Si mundet vetëm me fjalë. Kush janë ekspertët zoti ministër?

Lleshaj: Po lërë mo ti…Do ti biem tek ti? Do t’i certifikosh ti?

Lindita Metaliaj: Ju nuk i certifikoni dot, ju nuk jeni ekspert zoti ministër. Dhe në radhë të parë ju duhet t’i kërkoni falje popullit të Lezhës për fyerjen dhe arrogancën që i bëtë dje.

Lleshaj: A për këtë ke ardhur ti?

Lindita Metaliaj: Jo jo, unë jam banore këtu, jam në mbështetje të qytetarëve.

Lleshaj: Kush jeni ju?

Lindita Metaliaj: Unë jam Lindita Metaliaj dhe kam ardhur në mbështetje të qytetarëve.

Lleshaj: Ku banoni ju?

Lindita Metaliaj: Banoj në lagjen “Besëlidhja” dhe jam këtu për të mbështetur qytetarët.

Lleshaj: Edhe ke ardhur këtu?! Shko edhe gjej punën.

Lindita Metaliaj: Të lutem, nuk ma tregoni ju punën mua. Ju gjeni punën ku e keni.

Qytetari: Zoti ministër, veç me çekiç nuk certifikohet pallati.

Lindita Metaliaj: Dhe turp të keni për arrogancën.

Ndërkohë një banor i këtij pallati në një prononcim për ‘News24’ tha se do të kërkojnë një inxhinier privat për të bërë ekspertizën e kësaj ndërtesë, ndërsa theksoi se kjo çështje po fsheh një lojë.

“Kur erdhën për inspektim ata të bashkisë thanë se pallati është i pabanueshëm dhe të dilnim jashtë. Por ministër i Brendshëm erdhi dhe bashkë me inxhinierë shqiptarë dhe të huaj bënë inspektimin, por dhe ata ishin me mjete si ato të Lezhës, me një çekiç. Ata s’po kuptoheshin mirë në anglisht. Po dyshonin që kolonat e trarët e pallatit mund të kenë probleme, por s’thanë asnjë firmë ku të mbanin përgjegjësi që të futemi apo jo në pallat. Këtë gjë ia bëra pyetje dhe ministrit të Brendshëm se kush e mban përgjegjësinë. Ne do adresohemi tek një inxhinier privat, dhe më pas shumë e shumë më lart. Më duket një lojë jo shumë e mirë”, tha banori.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re