Plot 65 familje në Kombinat kanë nisur boshatisjen e apartamenteve të tyre pasi ekspertët e kanë cilësuar pallatin të pabanueshëm.

Ndërkohë banorët ankohen se nuk kanë marrë ende dëmshpërblimin për dëmet e tërmetit të shtatorit të cilat sapo i kishin rikonstruktuar me të ardhurat e tyre.

Por pallati 5-katësh në Kombinat ka një histori të hershme me tërmetet pasi rezulton i dëmtuar që në tërmetin e vitit 1988 pas të cilit iu nënshtrua rikonstruksionit, rikonstruksion që duket se i ka shpëtuar jetën gjatë tërmetit të fundit rreth 200 banorëve.

Gazetari Erjon Skëndaj raporton për “Balkanweb” se dëmet më të mëdha vihen re në katin e dytë, të tretë dhe të katërt të ndërtesës 5 katëshe, si dhe në kafazet e shkallëve që kanë pësuar të çara të dukshme me sy të lirë.

Ndërtesa në formë L-je ka 4 hyrje dhe numëron 65 apartamente. Objekti ka përballuar tre tërmete tepër të fortë të vitit 1988, shtator 2019 dhe i fundit më shkatërrimtari i 26 nëntorit.

Paralelisht me dëmet e dy tërmeteve të fundit objekti mbi 40 vjeçar ruan ende të freskëta gjurmët e tërmetit të vitit 1988, i cili kujtohet edhe sot e kësaj dite nga banorët më të vjetër. Asokohe pallati i është nënshtruar një rikonstruksioni të pjesshëm por shumë efikas, i cili duket se i ka shpëtuar jetën afër 200 banorëve.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re