Zgjedhjet e 25 Prillit por dhe ecuria e Reformës në Drejtësi dhe mbështetja ndaj saj kanë qenë në qendër të bisedimeve që , Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Matthew Palmer, zhvilloi sot online me përfaqësuesë të lartë politikë të Shqipërisë, Presidentin Ilir Meta, Kryeministrin Edi Rama dhe Kryetarin e PD-së Lulzim Basha si dhe me drejtuesë të institucioneve të Drejtësisë dhe përfaqësuesë të shoqërisë civile.

Sipas një njoftimi të ambasadës amerikane “me secilin prej udhëheqësve, Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë e roleve të tyre përkatëse, përfshirë edhe rolet institucionale të Presidencës dhe Kryeministrisë ashtu siç përcaktohen në Kushtetutë. Institucionet dhe udhëheqësit politikë mbartin përgjegjësinë për t’u siguruar që zgjedhjet e ardhshme të jenë të lira dhe të ndershme, me rregulla që janë të paanshme, transparente dhe në kohë”.

Lidhur me Reformën në Drejtësi, zoti Palmer “gjithashtu përforcoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për zbatimin e saj, duke vërejtur përparimin domethënës që është bërë gjatë vitit të fundit”. Sipas njoftimit të ambasadës amerikane “gjatë një tryeze të rrumbullakët me përfaqësues nga institucionet e drejtësisë, shoqëria civile dhe media, ai i nxiti këta “Kampionë të Reformës në Drejtësi” në përpjekjet e tyre, në mënyrë që populli shqiptar të ketë drejtësi të vërtetë”.

Bisedimet e sotme me drejtuesit politikë të vendit, kishin si synim që të konfirmonin “rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri ndërsa festojmë 30-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Ata rikonfirmuan përkushtimin tonë të përbashkët për të zgjeruar bashkëpunimin dypalësh në fushën e demokracisë, mbrojtjes dhe biznesit’, bën të ditur njoftimi i ambasadës, sipas të cilit “në fund, Zëvendës Ndihmës Sekretari Palmer theksoi rëndësinë strategjike të stërvitjes ushtarake Defender 21, e cila do të jetë stërvitja më e madhe ushtarake shumëpalëshe që zhvillohet në Ballkanin Perëndimor”.