Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me vetëdorëzimin e Klement Balilit.

 

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i PD, Edi Paloka e cilësoi vetëdorëzimin e Balilit jo si një hap në luftën ndaj krimit të organziuar por si një pakt mes këtij të fundit dhe kryeminsitrit Rama.

 

Paloka akuzoi qeverinë me argumentin se ka vënë nën kontroll prokurorinë. Ai hodhi akuza ndaj qeverisë me arguemntin se ajo po synonë që të shpëtojë Balilin nga akuzat ashtu siç bëri me ish-ministrin Saimir Tahiri.

 

“Shoqërimi i Klement Balilit në qeli nuk është një hap i madh kundër krimit, por dorëzim i kontrolluar dhe i menaxhuar i Eskobarit të Ballkanit në pakt me Edi Ramën. Me vetëdorëzimin e Klement Balilit, pas kapjes së plotë të drejtësisë, Edi Rama po zbaton të njëjtën skemë të sofistikuar si me Saimir Tahirin: dorëzim i kontrolluar, hetim sipërfaqësor, çlirim nga akuzat e rënda për trafik droge. Rasti i parë, kur kjo do të provohet, si çdo denoncim tjetër i Partisë Demokratike për lidhjet e Edi Ramës me krimin, do të jetë rasti i Saimir Tahirit. Për ish ministrin e drogës, i cili e la mandatin e deputetit dhe u vu në mënyrë të kontrolluar në arrest shtëpie, sa për të gënjyer partnerët, po përgatitët lirimi nga akuza kryesore për bashkëpunim në trafikun e drogës. Shpërdorimi i detyrës do të jetë akuza më e lehtë për të, sepse Edi Rama kontrollon hetimin. Skema “Tahiri” do të funskionojë edhe për bashkëpunëtorin e tij, Klement Balili. Prandaj Drejtori i Transporteve të Edi Ramës, të cilin Partia Demokratike e denoncoi 5 vjet më parë si person kyç në trafikun ndërkombëtar të drogës, ka pranuar të vetëdorëzohet.”

 

Më tej, Paloka tha se Balili gjatë gjithë kohës që ka qenë në arratisje ka pasur mbështetjen e qeverisë Rama pasi, sipas tij, ai ka jetuar në Sarandë dhe në zonat përreth.

 

“Gjatë gjithë kësaj kohe, Klement Balili, ka patur mbështetjen e qeverisë së Edi Ramës. Ka jetuar në Sarandë dhe zonat përreth saj nën mbrojtjen e Edi Ramës. Megjithëse në kërkim ndërkombëtar, kompania e tij ka marrë, deri pak muaj më parë, 77 tendera nga qeveria e Edi Ramës, shumicën e tyre pa garë. Pasuria e tij, përfshirë edhe resortin luksoz në Sarandë, është ruajtur e paprekur nga qeveria e Edi Ramës. Të gjithë në Sarandë e dinë se konfiskimi i resortit luksoz është vetëm fasadë dhe se Klement Balili e menaxhon në të vërtetë resortin, me të cilin mban peng Edi Ramën.  Propaganda nuk do ta ndihmojë Edi Ramën të shesë si sukses skemën e dorëzimit të kontrolluar të Klement Balilit për ta mbrojtur atë, njësoj si Saimir Tahirin. Ky nuk është rasti për të duartrokitur Policinë, por për të kuptuar se Policia, qeveria dhe drejtësia janë, për fat të keq, në duart e një njeriu të vetëm, që ka lidhur fatin e pushtetin të tij me fatin e krimit.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re