Drejtuesi Politik i Partisë Demokratike në Qarkun Durrës, Edi Paloka, dhe dy kandidatët, Andia Ulliri dhe Aulon Kalaja, janë pritur me entuziazëm në zonën e Fushë Krujës.

Gjatë takimit të zhvilluar këtë pasdite, Paloka theksoi pakënaqësinë që ka krijuar tashmë Rama si kryeministër, gjë që sipas tij, u reflektua dhe në hapjes së fushatës elektorale.

“Nuk ishte i braktisur dhe i vetëm mbrëmë Edi Rama, sepse siç u përpoq ta justifikonte, është nga ata që zbaton rregullat. Dhe ne u kërkuam qytetarëve që hapjen e fushatës ta ndiqnin nëpërmjet mediave, sepse të tilla ishin rregullat.

Një pjesë e juaja na kërkuan të vijnë në Tiranë dhe u thamë jo, sepse këto janë rregullat dhe duhet të zbatoheshin, por nuk i ndalje dot qytetarët. Prandaj u mblodhën, për të treguar se tek Partia Demokratike shohin shpresën.

Askush nuk do t’i ndalte as socialistët nëse do e shihnin me shpresë Edi Ramën, por qytetarët kalonin dhe e shihnin me indiferencë, ishin aq pak se i kanë braktisur dhe vetë socialistët. Socialistët e dinë tashmë që me Ramën jo mandat të tretë, por edhe tre orë më shumë janë fatkeqësi për shqiptarët”, tha Paloka.

Gjithashtu, Paloka e cilësoi betejën në këto zgjedhje, si një betejë përballë një qeverie e cila nuk u zgjidhi problemet qytetarëve, por u bë problem për ta dhe nuk harroi as të kujtojë atë çfarë ndodhi në qytetin e Durrësit, ku peshkarexhat u larguan në shenjë proteste pasi u njoftuan se për vizitë në portin e peshkimit do të vintë Rama.

“Beteja jonë është me një qeveri që për 8 vite nuk bëri asnjë gjë për shqiptarët, por përkundrazi, u kthye në problemin më të madh të qytetarëve. Ikën të gjithë peshkarexhat nga porti në shenjë proteste dhe e lanë Ramën si peshku pa ujë, u detyrua t’i thotë Gjergj Lucës më sill peshkarexhat nga Shëngjini, që të bënte takimin, e braktisën të gjithë, sepse ka 8 vite që i mashtron, me këtë përballemi me 25 prill”, u shpreh ai.

Në fund të takimit Paloka u premtoi banorëve të Fushë Krujës se Partia Demokratike do të punojë që t’u kthejë normalitetin, qetësinë dhe integrimin e Shqipërisë në Europë, ky i fundit proces i ndërprerë nga Rama. Gjithashtu ai i ftoi qytetarët që me datë 25 prill, askush të mos qëndrojë në shtëpi, por të votojë për ndryshim.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko