Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka bërë një deklaratë për mediat nga zona e tunelit në Kalimash, e cila mbrëmë u përfshi nga një zjarr me përmasa të mëdha, që për fat të mirë ka arritur që të neutralizohet gjatë ditës së sotme.

Peleshi falenderoi forcat e Kosovës, që erdhën mbrëmë në ndihmë të shqiptarëve, dhe tha se nga ajri po punohet me vetëm dy helikopterë, që kanë ardhur nga Holanda dhe Çekia. Sa i takon riaktivizimit të zjarrit në Llogara, Peleshi tha se kanë pikasur dy persona që kanë shkuar në zonë me elektrikë dore, dhe i kanë vënë sërish zjarrin pylli.

I pyetur me insistim nga gazetarët, në lidhje me shtimin e mjeteve për fikjen e zjarreve, Peleshi tha se Shqipëria është një vend i varfër, dhe nuk mund të pretendohet që të ketë resurse të pafundme.

“Sot situata është më e qetë, flakët janë larguar nga teneli, dua të falenderoj prefektin e Kukësit dhe të Lezhës, të cilët janë në krye të punës.

Vazhdon prej disa ditësh zjarri në majën e Rrunës, aty sot kemi marrë një kontribut shtesë nga forcat e Kosovës, dua të falenderoj ministrin e Kosovës, janë 66 trupa dhe 9 mjete zjarrfikëse, ku shpresojmë që të vëmë nën kontroll zjarrin në majën e Rrunës.

Nuk duhet spekuluar, nëse nuk e dimë dinamikën e zjarreve mund të dalim në konkluzione të gabuara.

Ka një dorë kriminale që na ndjek nga mbrapa, pasi nuk mund të shpjegohen ndryshe riaktivizimet e vatrave të zjarreve. Unë si edhe ju nuk jam ekspert i zjarreve, ju kujtoj që ditën e djeshme ka pasur erë, helikopteri nuk mund të ndërhyjë në një situatë të tillë. Nuk ka fjetur njeri.

Kemi dy helikopterë, njëri po punon në zonën e Llogarasë, dhe një tjetër po punon këtu.

Në momentin që zjarrfikësit zbritën nga Llogaraja identifikuan dy persona me elektrike dore në zonën e Malit, dhe më pas aty u evidentuan dy vatra të reja zjarri”, u shpreh Peleshi përpara gazetarëve.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re